Kryeministri Edi Rama ka bërë një hap pas sa u takon përplasjeve me ambasadoren e SHBA Yuri Kim për dekriminalizimin. Ambasadorja Yuri Kim ka shtuar presionet për të lënë jashtë listave kandidatët e inkriminuar. Shefi i qeverisë reagoi ashpër disa herë duke ngulmuar në një reagim të drejtpërdrejtë të ambasadores kundër tij. Dje kryeministri Rama u pyet nga konferenca për media për thirrjet e saj dhe deklaratën kundër Tom Doshit, por deklaroi se ka vendosur që të mos replikojë më me ambasadoren. Ai u shpreh se nuk duhet ta pyesin më për deklaratat e ambasadores pasi nuk do të marrin përgjigje prej tij. “Sa herë të më pyesni për ambasadoren, nuk do jap asnjë përgjigje, sepse keni spekuluar dhe abuzuar në mënyrën më skandaloze, duke krijuar një ngjarje që nuk ekziston. Faktikisht përgjigjja ime lidhur me pyetjen ishte shumë e thjeshtë dhe shumë e qartë, nuk ka nevojë të më vinin përpara ambasadoren amerikane për të më kujtuar mua detyrën që kam përpara ligjit. Këtë e di vetë, nuk ka nevojë të më përdorni ambasadoren si karrem. Nuk jap më asnjë përgjigje, sa herë të më pyesni për ambasadoren amerikane, sepse krijoni telenovela të kota në publik dhe e dezinformoni”, tha Rama.
Rama flet për Nanon
I pyetur lidhur me marrëdhëniet me ish-kryeministrin Fatos Nano dhe nëse ky i fundit aspiron ende Presidencën, Rama u shpreh se jo të gjithë politikanët kanë çmim. Ndër të tjera, kryeministri Rama tha se ka marrëdhënie shumë të mira me të. Ai theksoi se i kërkon atij opinione për çështje dhe vendime kyçe, ndërsa e cilësoi atë si një aset dhe një pikë referimi. “E di çmimin tim? Se normalisht i bie të jem edhe unë pjesë e këtij eksperimenti që të ka dalë me konkluzionin që të gjithë e kanë një çmim. Dhe po them me bindje jo të gjithë kanë çmim, politikanët nuk janë të gjithë njësoj. Ajo që mund të them është se unë me Fatos Nanon kam një marrëdhënie, që është shumë e bukur sot, sepse nuk ka në mes asnjë interferencë nga loja e shahut politik mes aktorëve. Për mua Fatos Nano është një pikë referimi në sensin që ai ka qenë këtu ku jam unë. Duke qenë i zhveshur nga interesat dhe dinamikat e brendshme të imponuara ka të gjithë qetësinë për të më dhënë opinionet e duhura kur ia kërkoj”, tha ai.
Rama flet për ndëshkime
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij foli edhe sa i përket fushatës elektorale në këtë periudhë pandemie në të cilën ndodhet vendi. Rama u shpreh se po mbahet fushatë duke mos respektuar rregullat ndaj Covid-19, ndërsa theksoi se të gjithë ata politikanë të cilët do të thyejnë rregullat e vendosura nga qeveria, do të ndëshkohen. Ai bëri me dije se ndëshkime do të ketë edhe për ministra apo edhe për presidentin e vendit Ilir Meta. Ai vijoi më tej duke përmendur edhe takimet që sipas tij bën presidenti me OFL. “Është skandal që partitë politike nuk respektojnë rregullat ndaj koronavirusit. Kam parë se shkeljet bëhen nga të gjithë, nga presidenti, tek ndërmarrja e gruas së presidentit, tek PD, tek PS etj. Do të shohim edhe takimet elektorale dhe do çdo shkelje, do ndëshkohen me gjobë të gjithë ata që bëjnë këta takime, qofshin ministra, qoftë presidenti, qofshin ministra, kushdo qoftë, unë personalisht jam shumë strikt dhe të tjerët duhet të zbatojnë ligjin. Policia nuk duhet të tolerojë askënd, asnjë politikan, në qoftë se shkelin rregullat, është e patolerueshme dhe e pasjellshme. Këta nuk janë mbledhje ilegale. Ka edhe takime ilegale, por ata presidenti i mban kokë më kokë me ata të OFL-së”, deklaroi Rama.
































