Google search engine
Home Aktualitet Thellohet skandali te “Shefqet Ndroqi”/ Arrestohen 3 infermiere dhe një sanitare, të...

Thellohet skandali te “Shefqet Ndroqi”/ Arrestohen 3 infermiere dhe një sanitare, të përfshira në afera korrupsioni

0
269

Thellohet skandali i korrupsionit në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Pas arrestimit pak kohë më parë të sanitares Tire Alldërvishi, emri i së cilës së fundmi është kryqëzuar nga opinioni publik pasi akuzohet për zhvatjen e 8 milionë lekëve të familjares së një pacienteje me COVID-19, dje janë arrestuar edhe 3 infermiere si dhe 1 sanitare tjetër, të cilat akuzohen si bashkëpunëtore të saj. Bëhet fjalë konkretisht për infermieret S. Çelaj, Sh. Koci, dhe M. Bushi dhe sanitaren R. Hoxhaj, të cilat janë arrestuar me akuzën për “Mashtrim”. Personazhet e sipërpërmendur, siç duket, në kushtet e një situate të vështirë pandemie në të cilën shoqëria jonë po përballet, në vend të përkushtimit ndaj punës dhe solidarizmit kanë krijuar një skemë të mirëfilltë me qëllimin e vetëm kriminal që të përfitojnë sa më shumë nga pacientët e sëmurë me sëmundjen COVID-19 dhe familjarëve të tyre. Për këtë arsye dhe shumë të tjera që janë në hetim të mëtejshëm, Urdhri i Prokurorisë ka pezulluar licencat profesionale për 3 infermieret, teksa ky pezullim do të jetë në fuqi deri në një vendim gjykate.

Provat e reja

Ndërkohë prokuroria ka administruar edhe prova të reja se Tire Alldervishi ka mashtruar disa familjarë të pacientëve të shtruar me COVID. Por nuk ka qenë vetëm pasi sipas dosjes hetimore kanë qenë disa komunikime në WhatsApp përmes së cilës rezulton se në skemën e mashtrimit janë përfshirë edhe persona të tjerë. Kështu sipas prokurorisë nga analizimi i këtyre komunikimeve në raport me deklarimet e pacientëve apo familjarëve të tyre, apo edhe me veprimet e tjera hetimore, rezulton se qëllimi i këtyre personave ka qenë marrja dhe hedhja në dorë e vlerave monetare dhe duke e përdorur detyrën e tyre si mjet përfitimi personal. “Personit nën hetim Tire Alldervishi, i është këqyrur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat celular i markës “Samsung” me kartë sim. Nga këqyrja e aparatit celular në posedim nga personi nën hetim Tire Alldervishi, rezulton se kjo shtetase ka shkëmbyer komunikime të shumta me persona të ndryshëm, kryesisht pacientë dhe familjarë të tyre si dhe sanitare dhe infermiere në spitalit “Shefqet Ndroqi”. Nga përmbajtja e këtyre e komunikimeve të realizuara nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp” dhe SMS, rezulton se personi nën hetim Tire Alldervishi në bashkëpunim me persona të tjerë përveç rastit me pacienten Liljana Kalemi, është përfshirë edhe në disa episode të tjera, duke i kërkuar dhe marrë para familjarëve të pacientëve të shtruar në spital, për t’u shërbyer të afërmve të tyre”, thuhet në dosje.

Arrestimi i sanitares Alldervishi

Arrestimi i sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi” Tire Alldervishi demonstron rastin më makabër të shkeljes së ligjit dhe të moralit shoqëror. Ndër të tjera, në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës bëhet me dje se komunikimet ndërmjet Tire Alldervishit dhe kallëzueses, vajzës së viktimës, janë bërë si verbalisht ashtu edhe nëpërmjet rrjetit të komunikimit WhatsApp. Kujtojmë se arrestimi i Tire Alldervishit, sanitarja që u hoq si infermiere dhe i mori vajzës së një pacienteje me COVID 8 mln lekë të vjetra u bë në 13 janar. Pas zbulimit të skandalit Tire Alldervishi u arrestua menjëherë nga uniformat blu. Ka qenë vajza e pacientes me COVID që prej 28 ditësh ishte shtruar te “Shefet Ndroqi” ajo që ka kallëzuar në polici se Tire Alldervishi i ka marrë çdo ditë rreth 5.000-6.000 lekë duke i “premtuar” se do të kujdesej për nënën e saj, por rezultoi se kishte ndodhur e kundërta. Alldervishi nuk ishte në pavionin ku ishte pacientja dhe për të shkuar në atë pavion hiqej sikur ishte tezja e saj. Ndërkohë ky rast korrupsioni me pasoja të rënda, nuk është i izoluar pasi nga arrestimet e bëra ditën e djeshme po hetohen persona të tjerë të implikuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here