Partia Aleanca Demokratike e Re, e drejtuar nga Edmond Stojku ka prezantuar këtë të dielë programin e saj ku disa nga pikat kryesore ishin rritja e pagës për administratën, ulja e taksave, inventarizimi i pronës shtetërore dhe reforma monetare.
Gjatë prezantimit, Edmond Stojku u shpreh se ky program ka në fokus qytetarin dhe interesin e tij.
“ADR propozon që pas këtij riorganizimi strukturor dhe funksional, administrata shqiptare të paguhet me një vizion evropian për të ardhmen e vendit. Rrogat ne administratë do të jenë nga 800 deri në 1300 euro”– tha Stojku gjatë prezantimit të programit.
Sipas tij, ky plan synon rritjen e mirëqënies ekonomike dhe formalizimin e ekonomisë.
“ADR propozon që të gjitha subjektet të paguajnë barazisht TVSH-në, por duhet të rikthejmë taksën e sheshtë 10%.”
ADR në programin e saj synon t’i japë zgjidhje edhe problematikave të pronësisë private, si dhe asaj publike.Ndër të tjera Stojku në fjalën e tij propozoi që “Fondi i Sigurimeve Shoqërore” dhe “Fondi i Sigurimeve Shëndetësore” të bashkohen në një fond të vetëm social.