Vrasja e trefishtë në Elbasan e personave E. Alibej, A. Dylgjeri dhe E. Durunay më 29 dhjetor të 2018 është kthyer sërish në skenë, pasi dje është identifikuar dhe shpallur në kërkim ndërkombëtar një nga autorët e vrasjes. Policia njofton se bëhet fjalë për personin e identifikuar me iniciale M. Q., 35 vjeç, i cili sipas të dhënave që disponon grupi hetimor gjatë 2 viteve, dyshohet të ketë qenë vëzhgues në atentatin mafioz. Policia gjithashtu bën me dije se lidhur me këtë ngjarje, 35-vjeçari dyshohet konkretisht për veprat “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. “Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar një nga autorët e vrasjes së trefishtë të ndodhur në vitin 2018, në Elbasan. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore bënë të mundur identifikimin e një prej autorëve të ngjarjes së ndodhur në datën 29.12.2018, në fshatin Bradashesh, Elbasan, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit E. A., A. D. dhe T. D. Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasi: M. Q., 35 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje””, thuhet në njoftimin për shtyp nga policia. Burime të tjera bëjnë me dije se nga verifikimet e kryera rezulton se personi i shpallur në kërkim ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë kjo e verifikuar nga sistemi Tims. Ndërsa duhet theksuar se ndaj këtij personi rezulton se ka prova të mjaftueshme të cilat e lidhin atë me ekzekutimin e trefishtë. Ndërkohë, grupi hetimor e vlerëson si të çmuar dëshminë e të identifikuarit për të hedhur dritë në lidhje me atentatorët që u morën jetën 3 shtetasve. Megjithatë, vijojnë ende veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 29 dhjetor të 2018 në afërsi të Kombinatit Metalurgjik, në Bradashesh ku një makinë ka qëlluar drejt 3 personave të cilët ndërruan jetë, E. Alibej së bashku me A. Dylgjeri, 56 vjeç kushëririn e tij dhe një turk E. Durunay, 51 vjeç. Të tre ata mbetën të vrarë brenda në automjetin tip “Range Rover” me targa rumune në segmentin Elbasan- Metalurgjik, teksa ktheheshin nga një darkë familjare në fshatin Përparim të Peqinit, të tre personat mësohet të jenë ekzekutuar në prani të familjarëve të tyre, nga breshëri kallashnikovi. Ndërkohë njëri prej viktimave E. Alibej 34 vjeç, në vitin 2013 është arrestuar si pjesë e një grupi që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë. Alibej u arrestua në vitin 2013, bashkë me të vëllanë e tij, A. Alibej dhe ishin kokat e një grupi që trafikonte drogë në veriun e Italisë. Droga vinte nga Holanda dhe hynte në Itali nëpërmjet kufirit të veriut. Më pas lënda narkotike, e llojit kokainë, tregtohej në Asti, Udine, Brescia, Savona, Xhenova, Piza, Parma dhe Milano. Ndërsa sa i përket hetimeve të kryera nga Drejtoria e Policisë Elbasan dhe prokuroria e rrethit gjyqësor e këtij qyteti, rezulton se personi i identifikuar dje si i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje, M. Q., i ka ndjekur dhe vëzhguar viktimat nga njësia administrative Papër deri në vendin ku u krye dhe atentati.








































