Afrimi i zgjedhjeve ka ndezur dhe një herë debatin e dekriminalizimit. Që kur u hartua ligji për integritetin e deputetëve, kryebashkiakëve dhe funksionarëve, gjithmonë ka pasur debate. Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ditët e fundit ia ka bërë të qartë politikës se në Parlament nuk kanë vend kriminelët. Disa parti në prapaskenë po projektojnë individë që janë penalizuar një herë nga dekriminalizimi për shkak të mosdeklarimeve në formular, por që këtë herë mund të kandidojnë. Por kjo shihet e pamoralshme dhe kanë nisur presionet. Por sa rol ka sot krimi në polikë dhe në administratë. Sipas të dhënave të siguruara nga një raport i Institutit për Studimet Politike, që kur u hartua ligji e deri më sot (2015-2020), janë rreth 600 persona të penalizuar pasi kanë qenë të dënuar. Nga 600 persona në total, 169 janë punonjës të bashkive dhe 112 nëpunës të administratës shtetërore. Ndërkohë për shkak të këtij ligji janë larguar nga detyra 3 kryetarë bashkie dhe 7 deputetë. Pra duket se personat me rekorde kriminale kanë depërtuar që nga administrata, te bashkitë dhe deri në Parlament. Numri më i madh i të penalizuarve është në këshillat bashkiakë. Pothuajse në të gjitha bashkitë ka pasur anëtarë këshillash që janë larguar për shkak të lidhjeve me krimin.
Të skualifikuarit
Përpara se ligji të miratohej, Arben Ndoka dha dorëheqjen si deputet. Në 7 shtator 2015, përmes një letre publike sqaroi se ishte dënuar në mungesë për prostitucion, pas një historie të stisur nga e dashurua e të vëllait dhe një polici italian. Dy muaj më vonë, mandatin e dorëzoi dhe Mark Frroku. Deputeti ndodhej në paraburgim për deklarim të rremë, pas historisë ku Tom Doshi deklaroi se Ilir Meta kishte planifikuar eliminimin e tij. Emri i tretë ishte Armando Prenga. Ai u arrestua nga policia pas një sherri në Patok, ku pati të shtëna me armë. Emrat më sipër ikën para se të miratohej ligji. Pas miratimit të tij, i pari që iku ishte Elvis Roshi, kryetar bashkie i Kavajës. Një dënim i fshehur në Itali për përdhunim, i dha fund mandatit të tij si kryebashkiak i Kavajës, në 29 dhjetor 2016. Po ashtu, KQZ vendosi të ndërpriste mandatin e Dashamir Tahirit. Ky i fundit doli si deputet nga PDIU, por më pas u bashkua me PD. Një tjetër emër që u largua ishte Shkëlqim Selami, deputet i LSI. Në 2017 pati dy largime të bujshme po nga Parlamenti, prokuroria kërkoi nga KQZ që t’u hiqej mandati Gledion Rehovicës së LSI dhe Aqif Rakipit të PDIU. KQZ pranoi kërkesën dhe u hoqi mandatin. Ata vijuan betejën në gjykatë, por largimi u cilësua i drejtë. Gjatë vitit 2018, rrjeta e vetingut kapi dhjetra këshilltarë bashkiakë të partive të ndryshme. Por nuk mbetën jashtë dhe krerët e bashkive. Edhe pse PS ishte e vetme në zgjedhje, sërish hynë në lista dy persona me të shkuar kriminale. KQZ zbuloi se ftuesi i zgjedhjeve në Shkodër Valdrin Pjetri kishte fshehur një dënim dhe duhej të largohej. Ai nuk u betua dot si kryetar bashkie. Emri tjetër ishte kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, të cilin PD e akuzoi se kishte fshehur një procedim në Greqi me emrin Jorgo Toto. Atij iu hoq mandati ndërsa nisi dhe procedimi penal ndaj tij. Pra duket qartë se krimi ka ndikuar fort në politikë dhe SHBA këtë herë është e vendosur për të mos e lejuar një gjë të tillë.








































