Google search engine
Home Politike Drejtesi SPAK shkund politikën/ Nisin zyrtarisht hetimet për lidhje të “Ndrangheta”-s me zyrtarë...

SPAK shkund politikën/ Nisin zyrtarisht hetimet për lidhje të “Ndrangheta”-s me zyrtarë në Shqipëri, Arben Kraja vizitë blic në Romë

0
243

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur zyrtarisht hetimet për lidhje të “Ndrangheta”-s me politikanë dhe zyrtarë në Shqipëri. Dy javë më parë u publikuan në media përgjime të Antimafias italiane, ku mes të tjerash flitej edhe për lidhje dhe ndikim të organizatës mafioze kalabreze “Ndrangheta” me disa figura të njohura në Shqipëri. Por dje SPAK ka hedhur hapin e radhës, duke shkundur politikën. Përmes një njoftimi për shtyp, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi se më 25 janar ka nisur kryesisht procedimin penal. “Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 25.01.2021, ka regjistruar kryesisht procedimin penal Nr.17/2021, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 259, 333/a, 287 – 28/4 dhe 334 i Kodit Penal”, thuhet në njoftim. Më tej Prokuroria Speciale bën me dije se është e vendosur për të hetuar këtë dosje me themel dhe e pandikuar nga askush. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar garanton publikun se është e vendosur për të hetuar deri në fund çdo element dhe fakt që përbën indicien për veprimtari kriminale të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që lidhet me objektin e hetimeve të kryera deri tani nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros”, thuhet në njoftim. Ndërkohë Prokuroria Speciale bën me dije se nisja e hetimit ka ardhur, pas indicjeve të marra nga mediat sa i takon përgjimeve të Ndrangheta”-s, në të cilat përmenden edhe politikanë dhe zyrtarë të lartë shqiptarë. “Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë mbi bazën e disa artikujve të publikuara në media të ndryshme, në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros në Republikën e Italisë, të cilat hedhin dyshime në lidhje me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në Republikën e Shqipërisë”, informon SPAK.

Kraja vizitë blic në Romë

Por për të çuar përpara hetimet dhe për të mësuar më shumë rreth dosjes së përgjimeve të organizatës mafioze kalabreze “Ndrangheta” me disa figura të njohura në Shqipëri, kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Arben Kraja ka zbarkuar për një vizitë blic në kryeqytetin italian. Ka qenë SPAK, e cila përmes njoftimit për mediat bëri me dije ditën e djeshme se zoti Kraja ka zhvilluar një takim në Romë me zyrtarët e Antimafias italiane. “Në kuadër të sqarimit të rrethanave dhe fakteve që lidhen me objektin e hetimeve të këtij procedimi penal, sot me datë 04.02.2021 në selinë e Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë, u zhvillua një takim koordinativ. Takimi u realizua nën drejtimin e zotit Federico Cafiero de Raho, Drejtues i Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, Itali dhe zotit Arben Kraja, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme, Shqipëri, me pjesëmarrjen dhe të prokurorëve italianë dhe shqiptarë që hetojnë këto dy procedime penale në shtetet respektive”, thuhet në njoftimin e SPAK.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here