Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka treguar edhe një herë se Prokuroria e Posaçme ka mbështetjen e madhe të Uashingtonit. SPAK ka sekuestruar shumë prona në kuadër të operacionit për sekuestrimin e drogës në Has. Ambasadorja ka përshëndetur punën e prokurorëve dhe është shprehur se vijon të presë më shumë goditje ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit. “Bazuar në informacionin nga DEA, SPAK ndoqi me sukses një organizatë të madhe kriminale, duke lënë në burg 17 trafikantë droge dhe duke konfiskuar një pasuri prej 5 milionë €. Shpresojmë të shohim SPAK të japë më shumë rezultate kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ambasadorja Kim në rrjetet sociale. Dy ditë më parë Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dënuar me 186 vite burg 17 të pandehurit për dosjen 339/3 të laboratorit të drogës në Has, për to është vendosur edhe konfiskimi i pasurive. GJKKO ka aplikuar për herë të parë dënimin për pastrim parash, për Admir Hoxhën, Hekuran Hoxhën dhe Shkëlqim Avdylin, pas kërkesës së SPAK. Kjo pasuri e sekuestruar kap vlerën e rreth 5 mln euro dhe do t’i kalojë në favor të shtetit. Bëhet fjalë për një resort 4 katësh në Rinas, truall ndërtimi dhe automjete luksoze. Më konkretisht i është konfiskuar resorti “Ador” me sipërfaqe 3320 m2, me katër kate bar restorant, parking dhe hotel, në Rinas Tiranë, në pronësi të Admir Hoxhës. Gjithashtu Hoxhës i është bllokuar edhe automjeti tip Audi me targë AA 485 SN. Pasuritë e Admir Hoxhës dyshohet se janë vendosur nga të ardhurat e krijuara nga aktiviteti kriminal. Javën që lamë pas ambasadorja ishte në një intervistë televizive, ku dhe aty e bëri të qartë se SPAK është në syrin e amerikanëve. “Tani Shqipëria ka një gjykatë që funksionon. Duhen edhe nja dy gjyqtarë për të pasur anëtarësinë e plotë me nëntë dhe mendoj se palët do të punojnë për këtë, institucionet përgjegjëse. SPAK nuk kishte filluar të funksiononte, tani funksionon. Ka disa çështje që po shqyrton. Nuk e di cilat janë, e vendosin ata. Dhe tani sigurisht kemi BKH që funksionon me hetuesit e saj. Pra, ka lëvizje. Mendoj që shqiptarët kanë të drejtë të ndihen të paduruar. Kanë qenë pa drejtësi të vërtetë për tepër kohë dhe kanë të drejtë të kenë padurim, kanë të drejtë të kërkojnë veprim më të shpejtë dhe mendoj se do të shohim ca nga kjo gjatë 2021”, tha ajo.









































