Shqipëria do të ketë në qershor një miqësore me përfaqësuesen e Uellsit, e cila mund të jetë një mundësi e madhe për të rinjtë që duan të vesin fanellën kuqezi, sidomos për lojtarët që vijnë nga kombëtaret e moshave. Nuk është ndonjë miqësore luksi, pasi është një kundërshtar pak a shumë në të njëjtin nivel me përfaqësuesen tonë, por Uellsi ka disa lojtarë cilësorë që janë elitë e kontinentit, midis të cilëve sulmuesi i njohur Gareth Bejl, i cili ka luajtur më parë me Realin e Madridit dhe tani është pjesë e skuadrës së Totenhemit në Premier League angleze. Statistikat janë të barabarta, nga një fitore e një barazim, por shanset e kuqezinjve këtë herë janë për triumf brenda në kryeqendrën e tyre, në Kardif.
Zyrtarizimi i miqësores
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një miqësore me Uellsin më datë 5 qershor 2021. Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se të dyja federatat kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj ndeshjeje që do të zhvillohet në Uells. Takimi do të luhet në “Cardiff City Stadium” dhe do të nisë në ora 18:00. Kjo do të jetë ndeshja e katërt midis Shqipërisë dhe Uellsit në histori, teksa në të kaluarën janë përballur tre herë me njëra-tjetrën. Shqipëria ka luajtur dy herë me Uellsin për eliminatoret e Kampionatit Europianit 1996. Ndeshja e parë u luajt në Kardif më 7 shtator 1994 dhe përfundoi me fitoren 2-0 të vendasve.Golat u shënuan nga Chris Coleman (10’) dhe Ryan Giggs (67’). Në sfidën e dytë mes dy vendeve të luajtur më 15 nëntor 1995 në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës rezultati u fiksua në barazim 1-1. Sokol Kushta kaloi në avantazh kuqezinjtë me një gol të realizuar në minutën e 5-të, ndërsa uellsianët barazuan shifrat në minutën e 43-të me anë të Mark Pembridge. Ndeshja e tretë mes dy vendeve u luajt më 20 nëntor 2018 në stadiumin “Elbasan Arena”. Sfida, që ishte një miqësore, u mbyll me fitoren 1-0 të Shqipërisë falë golit të Bekim Balajt në minutën e 58-të.
Ndihmësi i Rejës flet për situatën e Hysajt
Situata e Elseid Hysajt te Napoli, mes paqartësisë për të ardhmen e tij dhe mungesës së aktivizimit të rregullt, ka bërë që në vitin e fundit mbrojtësi kuqezi të ketë shumë luhatje. Një situatë që e njohin mirë në stafin e përfaqësueses kuqezi, siç e tregon Serxhio Porrini, krahu i djathtë i Edi Rejas në pankinën kuqezi. Në një intervistë për mediat italiane, ai ka insistuar se njeh mirë Rino Gatuzon prej viteve që luanin bashkë në Skoci, si dhe ka kontakte me të. Por në asnjë rast nuk ka kërkuar informacione për Hysajn, pasi ato i merr vetë nga lojtari. Sipas tij, në stafin kuqezi nuk pëlqenin të kishin kontakte me trajnerët për faktin se kjo mund të dukej si ndërhyrje në punën e tyre. “I kemi dërguar mesazhe njëri-tjetrit në momentin e vështirë kur motra e tij u nda nga jeta. Ne te Shqipëria nuk na pëlqen shumë të ndërhyjmë në punën e trajnerit dhe preferojmë të mbajmë kontakte direkte me lojtarët. Është e qartë që nëse do të na nevojitej të merrnim informacione të tjera për Elseidin, nuk do të hezitoja ta telefonoja Rinon. Hysaj është rikuperuar nga COVID-19, tani mund të luajë në të djathtë apo në të majtë. Ne vetëm na bëhet qejfi nëse ai luan, kështu do të mbërrijë në Kombëtare i stërvitur. Ai mund të luajë edhe në treshen e qendrës së mbrojtjes. Në përgjithësi, lojtarët e krahëve mbulohen nga një lloj futbollisti që ka më shumë karakteristikat e një mbrojtësi krahu. Ne po e përdorim si mbrojtës krahu të pestë në të djathtë, por jemi të kënaqur që po aktivizohet edhe në të majtë, na leverdis që mund të mbulojë sa më shumë role. Me Shqipërinë ka bërë gjithmonë paraqitje të mëdha”, tha Porrini.








































