Migen Memelli u zyrtarizua dje si trajner i Skënderbeut. Ish-sulmuesi i spikatur në futbollin shqiptar ka detyrën e vështirë t’i sigurojë korçarëve mbijetesën në elitë ndërsa theksoi se premton vetëm punë të palodhur ndërsa shtoi se rivalë kanë vetëm veten. “Falënderoj klubin për besimin. Shpresoj që gjërat të ecin mirë. Ajo që premtoj për komunitetin e futbollit këtu është puna e madhe dhe përkushtim të pareshtur. Pjesa tjetër, objektivat do t’i shohim ndeshje pas ndeshje”, nënvizoi që në fillim Memelli. Më tej ai foli për arsyet që e shtynë të pranonte ofertën e presidentit Ardian Takaj që të drejtonte skuadrën bardhekuqe të Korçës. “Përvoja e madhe që ka klubi, ambientet, terrenet, ajo që më bën optimist është baza e lojtarëve, individualisht, ka lojtarë me shumë cilësi”, theksoi më tej ai. Nuk mungoi edhe shpalosja e objektivave nga ana e Memellit, i cili nuk preferoi të bëjë deklarata të mëdha, por më së pari duke njohur hap pas hapi grupin dhe cilësitë e tij. “Do të punoj me skuadrën duke e njohur dita-ditës. Ajo që duhet do ta them në vazhdim”, shtoi Memelli.
E nis kundër Tiranës, skuadrës së zemrës
Duket e habitshme por kalendari i ka bërë surprizën e parë Migen Memellit. Kjo pai ai do të përplast me skuadrën e zemrës, Tiranën, në kuadër të javës së 19-të të Superligës. Do të jetë një nga ndeshjet më të vështira, por për Memellin nuk ka presion. skuadra korçare ndodhet në pozita të vështira dhe do të duhet të bëjë lojën e saj përballë një skuadre që gjithashtu ka përjetuar kriza të forta gjatë këtij edicioni. “Tirana është një klub i njohur për mua. Shpresoj që tani që mbroj Skënderbeun, besoj të bëj një ndeshje sa më të mirë. Te Tirana kam shumë miq, brenda 90 minutave do të bëjmë gjithçka për maksimumin”, tha tekniku i ri i Skënderbeut. Memelli foli më pas për stafin ndihmës dhe ambientin e ngrohtë në radhët e klubit korçar. “Mbështetja jonë si trajner është te puna jonë, lojtarët dhe klubi. Besoj se me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe ndërgjegje të kthjellët. Ne, stafi, Erion Llapanji, Gentjan Liçi dhe lojtarët shpresojmë të dalim sa më shpejt nga kjo situatë”, vijoi Memelli. brenda këtij kuadri, ai pozicionoi veten në mbështetje të figurës së njohur të futbollit korçar, Jani Kaçit, i cili pak ditë më parë pati një përplasje me tifozerinë e Skënderbeut, e cila pushtoi fushën e stërvitjes dhe i kërkoi llogari stafit për gjendjen e rënduar të skuadrës në renditjen e Kategorisë Superiore. “Profesor Jani është me përvojë te ky qytet. Ka bërë shumë dhe i ka dhënë shumë Skënderbeut. Do t’i marr të gjitha sugjerimet në mënyrën më të mirë të mundshme. Ajo që thatë ju qëndron. Të fillojmë sa më parë nga puna”, u shpreh Memelli.
Mbijetesa e Skënderbeut dhe përplasjet e së shkuarës
Trajneri Memelli gjen në Korçë një ambient sa miqësor aq dhe enigmatik, pasi ai ka luajtur në rini këtu, por edhe është përplasur kur luante me Tiranën. “Dinamika e një futbollisti është që në një moment apo tjetër të reagojë. Karrierën e kam nisur këtu, Korça është qytet i dashur për mua. I premtoj opinionit punë të palodhur dhe sakrificë”, nënvizoi Memelli për këtë rast, duke u treguar të gjithëve se qëllimi i tij ëstë të ndihmojë Skënderbeun në këtë periudhë për të kaluar momentin e vështirë në kampionat. në këtë linjë, ai i dha optimizëm grupit, duke dashur që të jetë “shpëtimtari” i Skënderbeut këtë edicion, edhe pse pozitat e skuadrës në vend të fundit në kampionat nuk japin shumë shpresa për mbijetesë. “Asnjë rival nuk kemi, kemi veten. Do të bëjmë maksimumin për veten tonë. Ekipet e tjera në tabelë duhet të jenë një numër që thjesht që s’duhet të referohemi. Punën kemi me veten tonë”, përfundoi Memelli, i cili prej ditësh së djeshme është zyrtarisht trajner i Skënderbeut.








































