
Kryedemokrati Lulzim Basha vijon të mbajë në ankth ish-kryeministrin Sali Berisha sa i takon kandidimit në zgjedhjet e 25 prillit. Ish-ministri Genc Ruli për të disatën herë ia ka bërë të qartë Berishës se ka ardhur koha të pensionohet ndërsa dyshimet janë se pas tij fshihet Basha. Ditën e djeshme, kreu demokrat i shtoi akoma më tej dyshimet pasi gjatë një interviste për “Abc News” e la të hapur çështjen e kandidimit të Berishës. I pyetur nëse është gati që Berisha të kandidojë në Durrës, Basha u shpreh se javën që vjen do të vendoset për kandidimet duke mos dhënë një përgjigje nëse Berisha do të jetë pjesë e listave qoftë në Tiranë apo Durrës. “Shiko, nuk preferoj të flas me, këto janë çështje të cilat javët e ardhshme do të bëhen fare konkrete për të gjithë”, u shpreh Basha. Ai ka vijuar me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama ku u shpreh se ai nuk i ka mbajtur aspak premtimet e bëra në 8 vite, duke përmendur kështu shëndetësinë falas, uljen e taksave apo hapjen e vendeve të punës. Kryedemokrati tha se Rama përpiqet të hedhë fajin kudo për dështimet e tij, siç ishte dhe rasti i fundit ku sipas tij Rama ka sulmuar BE-në. Basha u shpreh se PD nuk po vjen me premtime të kota, por me një plan konkret që ka për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. “25 prilli është një ditë ku shqiptarët do të vendosin. Dhe janë dy çështjet kryesore për të cilat do të vendosin: çështja e parë është, i ka mbajtur premtimet me të cilat erdhi në pushtet Edi Rama? 300 mijë vende pune, shëndetësinë falas, uljen e taksave për 95% të shqiptarëve dhe të gjitha këto përgjigje Edi Rama mbetet në klasë. Ai nuk ka absolutisht asnjë zgjidhje për këto probleme. E kundërta, përpiqet të hedh fajin kudo! Ditët e fundit ka filluar të sulmojë edhe Bashkimin Europian për dështimet e tij. Padiskutim një njeri që nuk ka asnjë bilanc para shqiptarëve, fushatë të vetme do të ketë fyerjet e sulmet ndaj opozitës. Arsyeja e dytë pse Shqipëria fiton më 25 prill është sepse ne nuk vijmë me premtime para shqiptarëve, por po vijmë me nj? program realist, me objektiva të qarta e konkrete p?r të korrigjuar dështimet e 8 viteve dhe p?r ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë”, tha Basha.
Basha tregon thelbin e programeve të PD
Kryedemokrati u shpreh se thelbi i programeve të PD-së është korrigjimi i dështimeve të Ramës. Sipas tij në pushtet do të vijë një qeveri që do të mendojë për njerëzit jo për t’i braktisur ata për të shkuar në restorante luksoze, duke iu referuar kështu darkës mes ministrave dhe kryeministrit tek Nusret në Dubai. Basha e akuzoi Ramën se është duke trefishuar pasuritë e tij e duke varfëruar shqiptarët. Sipas tij me anë të programit të PD-së shumë shqiptarë do të ndihmohen. “Në 25 prill fillon një punë e madhe për të korrigjuar dështimet e Ramës dhe është thelbi i planit tonë, nuk janë premtime, por janë angazhime konkrete. Një qeveri që mendon për njerëzit dhe jo për veten, një qeveri që nuk i braktis në ditët më të vështira dhe shtrohet në gosti luksi restoranteve më luksoze të botës apo trefishon pasuritë në letër, ndërkohë që shqiptarët varfërohen. Ne do të ndihmojmë shqiptarët në të gjitha kategoritë me dyfishimin e ndihmës ekonomike tek familjet e reja me skemën tonë të mbështetjes për të porsalindurit, të mbështetjes për 5000 çifte apo familje të reja me pagesën e plotë të interesave të kredisë kur duan të blejnë një banesë etj”, deklaroi Basha.







































