Ndër lëvizjet më të bujshme të merkatos së verës së shkuar, ishte ajo e kalimit të Myrto Uzunit nga Lokmotiva e Zagrebit në Kroaci drejt Ferencvaroshit në Hungari, skuadër me të cilët Uzuni po shënon momente të shkëlqyera, pasi ka luajtur në fazën e grupeve të Champions League, madje i ka shënuar gol edhe Juventusit e duke festuar përballë Kristiano Ronaldos po ashtu siç feston edhe vetë sulmuesi portugez. Uzuni është bërë lider tek Ferencvarosh dhe mund të konsiderohet nga lojtarët më të mirë aty. Por ai nuk resht së kërkuari mundësi në Kombëtare, mundësi që i ka ardhur por që ai e kërkon me minutazh të plotë, pra për të qenë përcaktues edhe me ngjyrat kuqezi. Pranohet gjerësisht madje që Myrto Uzuni është një nga legjionarët më të spikatur teksa në ndeshjet e këtij sezoni është bërë protagonist me fanellën e Ferencvarosh në Hungari. Por, të gjitha arritjet janë rezultat i një pune të madhe, teksa në një intervistë për “Sport Magazine”, sulmuesi thekson se stërvitet 1 orë deri në 2 orë e gjysmë, ndërsa shton se në kombëtare sheh më të përshtatshëm si partner në fushë, Balajn, Cikalleshin apo Manaj. “Stafi më dërgon ndeshjet e kundërshtarëve dhe unë duhet të studioj kundërshtarët në pozicionin tim mbrojtës i djathtë ose portierin në goditje standarde. Duhet ti studioj dhe të jap më të mirën në fushën e lojës. Stërvitem vetëm me ekipin sepse ndeshjet janë të ngjeshura, 1 orë-2 orë e gjysmë. Por më përpara ka qenë 3-4 orë në ditë”, theksoi Uzuni. Më tej ai flet për ekipin përfaqësues, duke thënë se ndihet i gatshëm të japë kontributin e tij në çdo pozicion që e kërkon trajneri, përfshi nga mbrojtja në sulm. Uzuni thotë se ndihet i përkushtuar për të dhënë maksimumin për fanellën e skuadrës përfaqësuese. Por në ndonjë moment ai nuk heziton të shprehë dëshirën për skemën taktike ku e gjen më mirë vetveten. Dhe për Uzunin skema më e mirë është ajo ofensive, sidomos 4-3-3, e cila i jep mundësinë e depërtimit në krah dhe të jetë më i përzgjedhuri në repartin ofensiv, një skemë që e bën të ndihet mirë. “Për kombëtaren unë jam në dispozicion kudo që trajneri të më vendosë pasi ato janë zgjedhje të tij dhe përgjegjësitë i ka trajneri. Nëse mua më jepet mundësia të luaj mbrojtës i majtë, mbrojtës i djathtë, kudo që trajneri të vendosë unë do të jap maksimumin tim. Por realisht në fushë ndihem mirë me skemën 4-2-3-1 ose 4-3-3 që mund të luaj si sulmues. Në sulm kemi lojtarë shumë të mirë. Me Cikalleshin, Manaj dhe Balaj përshtatem pasi ata janë lojtarë më me fizik, kurse unë jam më teknik dhe i shpejtë”, theksoi më tej ish-futbollisti i Laçit në Kategorinë Superiore të Shqipërisë, Myrto Uzuni.
Rivaliteti në Kombëtare
Në Kombëtaren e trajnerit Edi Reja lojtarë si Uzuni e gjejnë veten shpejt, pasi gëzojnë formë të mirë, kanë përkushtim dhe dinë të bëjnë si duhet rolin në çdo pozicion të fushës. Mbi të gjitha, Uzuni ka dhënë prova se jep mbi 100% të kapacitetit të tij sportive dhe kjo e bën atë të dashur në sytë e tifozëve dhe të vetë stafit të Kombëtares. Por për të zënë një vend si titullar në formacionin kuqezi nuk është aspak e lehtë, pasi ka mjaft rivalitet. Muajt e fundit trajneri Edi Reja ka ftuar në skuadër shumë element të rinj, që e kanë rritur së tepërmi konkurrencën në grup dhe e ka bërë të pasigurt formacionin edhe për lojtarët veteranë. Pra Uzuni ka rivalitet, por ai mund ta fitojë këtë duel në përfaqësuese falë minutazhit të tij tek Ferencvaroshi, që ka qenë përgjithësisht i plotë, potenciali në rritje, golat dhe asistet e shumta dhe natyrisht përkushtimi i tij maksimal me ngjyrat kuqezi. Mbetet të shihet se në çfarë pozicioni do ta planifikojë Reja sulmuesin e krahut të djathtë, por “sinjali” i dërguar së fundmi nga Uzuni, për një skemë 4-3-3 si më efikase, tregon se lojtari përshtatet më mirë në fazën ofensive të lojës dhe me një skemë taktike që sheh në fushë një skuadër sulmuese në tërësi.







































