
Mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të zgjatet edhe me dy vite. Sipas ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese, KPK duhej të mbyllte brenda vitit 2022 procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, por deri momentalisht janë futur në skaner më pak se gjysma e njerëzve të drejtësisë. Për këtë arsye pritet që të shtyhet edhe me dy vite afati i punimeve duke u dhënë mundësi komisionerëve që të mbarojnë procesin e vetingut brenda vitit 2024. Të dhënat janë bërë të ditura në Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025, të siguruar nga gazeta. “Ecuria e punës së institucioneve dhe të procesit të reformës mund të nxjerrë në pah nevojën për rishikim të legjislacionit në lidhje me institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Sa i përket procesit të Vetting-ut, deri në fund të vitit 2019, vetëm afërsisht 30% e punës ishte përfunduar dhe, gjatë krizës së virusit korona, progresi ka qenë më i ngadaltë. Prandaj ekziston një rrezik i lartë që procesi të mos përfundojë brenda mandatit kushtetues të KPK në fund të vitit 2022, kështu që do të duhet të zhvillohet një mekanizëm i ri gjatë fazës së Strategjisë së re (2021-2025) për të përfunduar procesin në një mënyrë bindëse duke pasur parasysh ndër magjistratët në detyrë, që ende janë në listën e pritjes së procesit të vetting-ut”, thuhet në raport. Më tej bëhet me dije se KPK do i lihet afat deri në vitin 2024. “Procesi i vetting-ut të ketë përfunduar deri në vitin 2024 për të tre kategoritë e subjekteve te rivlerësimit (gjyqtarë, prokurorë, këshilltarë dhe ndihmës ligjorë)”, thuhet në draft.
Rishikimi i ligjeve
Gjatë muajve në vijim mund të kemi rishikim të lagieve të reformës në drejtësi. Ka shumë institucione që e kërkojnë një gjë të tillë, pasi ka dispozita që kanë nevojë për ndërhyrje. Një ndër to është SPAK, e cila kërkon që fokusi të jetë vetëm te korrupsioni në nivele të larta dhe jo te korrupsioni i nivelit të ulët. Objektiva kryesore janë: Përditësimi dhe përmirësimi i legjislacioni te reformës në drejtësi bazuar në gjetjet nga analiza dhe monitorimi i zbatimit të reformës, duke përfshirë, por pa u kufizuar në rregullat e përditësuara për kompetencat, transparencën, efikasitetin, dhe koordinimin; Fuqizimi dhe konsolidimi institucional i institucioneve të qeverisjes në drejtësi (kryesisht krijimi e zhvillimi i kapaciteteve dhe pajisjet) të kryejnë aktivitetin me pavarësi, eficiencë dhe standarde profesionale dhe ofrimi i
përgjithshëm i shërbimit të institucioneve të qeverisjes përmbush rregullat dhe standardet përkatëse, dhe rolet dhe përgjegjësitë përkatëse kryhen në mënyrën e duhur në përputhje me standardet europiane dhe emërimet, promovimet dhe transferimet, verifikimet, procedimet disiplinore dhe inspektimet bazohen në meritë dhe janë të besueshme.
Ecuria e reformës
Sipas raportit, reforma në drejtësi është në rrugine duhur dhe ka një sërë arritjesh. Aty theksohet se sa i përket fushës së drejtësisë penale, përpjekjet e reformës po e sjellin gradualisht kornizën ligjore dhe ngritjen institucionale në përputhje me standardet europiane. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Gjykatat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë filluar të operojnë në mënyrë efektive duke kontribuar kështu në rritjen e numrit të rasteve të hetuara, duke përfshirë këtu dhe gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar ose të dorëhequr si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar. Po ashtu, ka pasur një vëmendje të shtuar në zbatimin e reformës në sistemin penitenciar, me fokus të veçantë rritjen e efiçencës së mekanizmave të kontrollit, si edhe respektimin e të drejtave të njeriut, me qëllim shmangien e rasteve të dhunës, keqtrajtimit e diskriminimit, informimin e vazhdueshëm të të dënuarve dhe paraburgosurve”, thuhet në raport.







































