Vepra teatrore “Sonte do të luajmë pa tekst”, shkruar nga dramaturgu italian Luigi Pirandello me regji nga Driada Dervishi ishte përzgjedhja e Teatrit Kombëtar në vijim të aktivitetit artistik online. “Sonte do të luajmë pa tekst” ishte livestream në Facebook të Teatrit Kombëtar dhe i takon premierave që janë vënë në skenë disa vite më parë. Përpara se shfaqej vepra, Teatri Kombëtar shkruante se “Sonte do të luajmë pa tekst” është një vepër e ndërtuar brenda një konflikti thelbësor ( që zhvillohet në sy të publikut) një konflikt mes regjisorit, që do të imponojë rregull e formë edhe kur improvizohet dhe aktorëve që duan t’u japin jetë personazheve. Në vepër interpretojnë aktorët Dritan Boriçi, Adelina Muça, Met Xhelili, Sokol Angjeli, Olta Daku, Niada Saliasi, Olta Gixhari, Amos Zaharia, Besmir Bitraku, Gent Hazizi, Neritan Liçaj, Marsel Rupi dhe me pjesëmarrjen e Yllka Mujos. Skenografia është nga Driada Dervishi dhe Desantila Lika. Koreograf Elton Cefa dhe kostumet janë punuar po nga Desantila Lika. Muzika Sokol Hidersha dhe përzgjedhja muzikore Metila Dervishi e fizarmonika Elton Balla. Veç aktorëve në vepër janë balerinë Frenki Ziaj, Mateo Nushi dhe Evisa Lazri. Në videon e publikuar në faqen e Teatrit Kombëtar, në mesazhin e saj regjisorja Driada Dervishi mes të tjerave shprehej se për publikun do të vinte një vepër teatrore, që ajo e kishte punuar me dashuri. “Për të gjithë ju që këtë kohë ju ka munguar teatri dhe ju që jetoni jashtë Shqipërisë dhe pyesni, vjen një shfaqje që e kam punuar me shumë dashuri së bashku me një ansambël të mrekullueshëm aktorësh të Teatrit Kombëtar dhe jo vetëm. “Sonte do të luajmë pa tekst” nga nobelisti Luigi Pirandello, një shfaqje që ka brenda dramën dhe komedinë, baletin dhe kabarenë, dramën dhe xhelozinë, por mbi të gjitha ka atë më të rëndësishmen, teatrin. Një teatër brenda teatrit”, shprehet regjisorja.
Zhanre të ndryshme artistike në vepër
Për publikun kur kjo shfaqje ishte në skenën e Teatrit Kombëtar, aktorët për rreth një orë e 40 minuta jo vetëm interpretuan, por edhe kënduan e kërcyen. Sipas regjisores Dervishi, vepra gërsheton zhanre të ndryshme artistike ashtu siç gërsheton edhe linjat e problematikave të ndryshme të një familjeje në ditët e sotme. Përmes përfshirjes së lojës së prapaskenës dhe ndërhyrjeve të regjisorit, Pirandello jep mesazhe të mëdha për ndërlikimet dhe të papriturat e jetës. “Sonte do të luajmë pa tekst” është pjesa e tretë e trilogjisë e shkruar në Berlin në vitin 1929, pas “6 personazheve” dhe “Secili sipas qejfit së tij”. Kjo pjesë e mbështetur në një nga novelat e Pirandello-s “Lamtumirë Leonora”, përfshin problematikat e një sërë raportesh si ai dramaturg – regjisor, regjisor – aktor, aktor- publik. Ndërsa vepra është pjesë e trilogjisë teatri brenda teatrit, në shfaqje shikojmë se janë dy linja. Linja e parë është ndërtimi i shfaqjes dhe e dyta shfaqja. Sigurisht që ka dhe temë aktuale, siç është tema e xhelozisë e cila jepet në shfaqje. Luigi Pirandello është dramaturg, novelist, poet dhe mjeshtër i tregimit të shkurtër. Ai lindi më 28 qershor 1867 në Itali dhe u nda nga jeta më 10 dhjetor 1936. Në vitin 1934, Pirandello fiton çmimin “Nobel” në Letërsi “për rigjallërimin e dramës”. Veprat e autorit Pirandello përfshijnë romane, qindra tregime, dhe rreth 40 drama disa prej të cilave në dialektin siçilian. Tipike për autorin Pirandello është të tregojë se si arti apo iluzioni përzihen me realitetin dhe se si njerëzit i shohin gjërat në një mënyrë krejt ndryshe, fjalët nuk janë të besueshme dhe realiteti është në të njëjtën kohë i vërtetë dhe i rremë. Farsat tragjike të Pirandello-s janë parë shpesh si pararendëse për teatrin absurd.








































