Gjatë 48 orëve të fundit 770 persona janë gjobitur pasi nuk kanë respektuar masat anti-covid.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 9 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Ndërkohë 10 subjekte (bare, lokale, restorante) që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë, janë gjobitur. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 14 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndalimit të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid.