Kreu i partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet i bindur se do të fitojë në zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohe që na ndajnë më shumë se dy muaj nga zgjedhjet, ende nuk është bërë i ditur se ku do të kandidojë lideri historik i PD, Sali Berisha.
I pyetur në një intervistë ekskluzive për gazetarin e ABC, Juxhin Mustafaraj, nëse do ta vendoset Berishën përballë Ramës në Durrës, kryedemokrati u tregua i rezervuar.
“Unë nuk preferoj të flas me nëse, këto janë çështje të cilat javët e ardhshme do të bëhen fare konkrete për të gjithë”, tha Basha.
Ndërkohe i pyetur përse nuk e shfrytëzon Kodin Zgjedhor për të garuar më shumë se sa në qarkun e Tiranës, Basha thotë se ka respektuar opinionin e Venecias, që tha se është e pa drejtë që kryetarët të garojnë në më shumë se sa një qark
“Për mua këto zgjedhje si për shumicën e Shqiptarëve nuk janë për një person apo një person tjetër apo për mundësitë për të shfrytëzuar hapësira të padrejta siç janë këto, Venecia tha që është e pa drejtë që kryetarët të garojnë në më shumë se sa një qark, por janë për ti dhënë shqiptarëve rrugën e daljes nga kjo krizë, për ti dhënë shqiptarëve mundësinë që bashkë me 25 prill të fitojë Partia Demokratike, koalicioni, Shqipëria, çdo shqiptarë. Këtu është gjithë fokusi dhe vëmendja ime dhe këtë mund ta shikoni në rrallë të parë tek aktiviteti im i përditshëm i cili konkretizohet me shpalosjen e planeve ekonomike, të shëndetësisë, të ekonomisë, të arsimit. Në fakt është rezultati i një pune të gjatë në kontaktet e vazhdueshme që kam me njerëzit dhe pa diskutim edhe në angazhimin tonë që koalicioni të japi formë dhe përmasë dëshirës mbarë popullore për të larguar Edi Ramën dhe për të çliruar Shqipërinë dhe për të ndryshuar fatin e çdo shqiptari përmes programit tonë Shqipëria Fiton”, deklaroi Basha.