Komiteti Teknik i Ekspertëve mbajti sërish në fuqi masat që janë vendosur aktualisht për COVID edhe pse rastet janë rritur ndjeshëm. Për zv.ministren Mira Rakacolli situata megjithatë vijon të mbetet në kontroll. Ajo tha se fluturimet me Britaninë e Madhe vijojnë të jenë të pezulluara.
“Po vlerësohet dhe shfaqja e varianteve të transformuar të SARS COV 2, fatmirësisht deri tani situata vazhdon të mbetet e kontrolluar. Në takimin e sotëm u vendos të vazhdojë ndërprerja e fluturime me Britaninë e Madhe deri në një vlerësim të dytë”, tha Rakacolli.
Ndërkaq, brenda kësaj jave do të ketë një vendim se si do të vijohet me sezonin e provimeve të studentëve. “Po punojmë me MASR për të vlerësuar mundësitë konkrete të këtij realizimi dhe patjetër që do të kemi një vendim të shpejtë, maksimumi deri në fund të kësaj jave”, tha ajo.
Rakacolli ka kërkuar një angazhim të të gjithë strukturave po në radhë të parë të vetë qytetarëve që të zbatojnë masat me rigorozitet.
SITUATA SIPAS ISHP
Java e shkuar për Komitetin Teknik të Ekspertëve ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të rasteve të infektimeve ditore, shtrimeve në spitale dhe humbje jete.
“Këtë javë vërejmë një rritje të numrit të rasteve, një rritje të incidencës, pra incidenca javore është rritur në 209 raste për 100 mijë banorë, është një incidencë që duket një rritje drastike sepse deri një javë para kjo ishte nën 200. E them për këtë dhe për faktin e disa masave të ende të tjera që kërkojnë incidencën javore nën 200. Nga ana tjetër vërejmë dhe një rritje të incidencës dy javore, që është një element shumë i rëndësishëm duke pasur parasysh dhe periudhën e inkubacionit që shkon deri në dy javë të virusit, deri në 378 raste për 100 mijë banorë”, tha profesoresha Silva Bino.
Sipas saj, tregues i rëndësishëm sidomos në këtë javë, kjo kombinohet dhe me rritjen e shtrimit në spitale dhe rritjen e numrit të vdekjeve.
Bino tha se rritja më e madhe vihet re në Tiranë, po dhe në vende të tjera. ritje graduale në të gjitha bashkitë e vendit.
SITUATA NE SPITALE
Profesoreshë Najada Çomo bëri të ditur se është shtuar numri i të shtruarve në spitalet COVID gjatë javës së shkuar. Ajo tha se forma të rënda të virusit kanë shfaqur dhe mosha të reja.
“Pacientët në formën mbi të moderuar dhe forma e rëndë apo kritike. Ditët e fundit evidentohen raste të shtuar në shtrimet në spitalet COVID dhe kjo shifër tregon një trend në rritje dhe ky numër i shtuar gjithë moshat nga 30 vjeçare deri në 90 dhe fasha më e prekur 50-60 vjeçare. Edhe personat në moshë të re paraqesin formë të rënduara të shëndetit të tyre”, tha doktoreshë Najada.
Ajo bëri një apel qytetarëve: “Arma që kemi në dorë përveç vaksinës është mbajtja e maskës, ruajtja e distancimit fizik jemi ndër të paktat vende që nuk respektojmë siç duhet mbajtjen e maskës në ambiente të jashtme”.






































