Merkato po shkon drejt fundit dhe në dy ditët që kanë mbetur klubet po nxitojnë të përmbushin objektivat e tyre në btreg, me shpresën se do të bëjnë blerjet e goditura. Ndërkohë, lëvizje ka pasur edhe në radhët e lojtarëve të Kombëtares, pasi një pjesë e konsiderueshme ndryshuan ambient në këtë fazë tranzitore. Nga ana tjetër, i fundit që bëri ndryshim ekipi ishte portieri Gentian Selmani, i cili mbetet në ligën e parë turke, por kaloi nga Menemenspori tek Boluspori në Turqi. Një tjetër futbollist i Kombëtares, portieri Thomas Strakosha, po kalon moment të vështirë dhe nuk kanë munguar zërat e largimit të tij nga Lacio, por “Gardiani” kuqezi ka pasur edhe probleme dëmtimi dhe rrezikohej të bënte një ndërhyrje kirurgjikale, por dje për të erdhën lajm të mira dhe ai do të nisë së shpejti një periudhë dyjavore riaftësimi.
Strakosha nuk do të operohet, mund të rikuperohet në kohë për Kombëtaren
Për fat të mirë rezulton fals alarmi në lidhje me Thomas Strakoshën. Ditën e enjte qarkulluan raportime se portieri i Kombëtares Shqiptare do të duhej t’i nënshtrohej një operacioni në gju. Gardiani i Lacios këtë vit ka përjetuar një periudhë të pafat për shkak të Covid dhe të pasuar më vonë nga dëmtimet, kundër Fiorentinës dhe pastaj ndaj Parmës që e detyruan të qëndrojë jashtë fushe. Gjithsesi siç bëjnë të ditur lajmet e fundit nga Italia, Strakoshës do t’i duhet të qëndrojë pushim deri në fillimin e javës së ardhshme për shkak të dëmtimit në gju, por nuk do t’i duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për të rikuperuar dëmtimin. Ky është verdikti i klubit dhe stafit shëndetësor të Lacios, ku janë të bindur se mund ta zgjidhin problemin vetëm me pushim dhe pastaj me fizioterapi. Situata e portierit shqiptar gjithsesi mbetet në monitorim ditë pas dite, por për momentin ndërhyrja kirurgjikale duket një opsion absolutisht i panevojshëm. Përtej gjendjes fizike ndërkohë duhet menduar edhe për situatën kontraktuale të Strakoshës. Marrëveshja aktuale që e lidh me Lacion përfundon në qershorin e vitit 2022 por deri më tani nuk ka nisur asnjë negociate për rinovimin. Në këtë sesion të shkurtër të merkatos kanë qarkulluar edhe zëra për një shitje të mundshme të tijën, por Lacio dhe Drejtori Sportiv Igli Tare nuk kanë aspak ndër mend ta shesin, aq më tepër tani kur merkatoja është në drejt mbylljes. Sigurisht ky nuk ka qenë një sezon i mirë për Strakoshën, që ka vuajtur prezencën e Reinas, i cili ka përfituar nga momenti për t’i rrëmbyer fanellën e titullarit. E ardhmja e Strakoshës mbetet ende e paqartë, por çdo vendim për të është shtyrë për në fund të sezonit.
Selmani ndryshon ekip por jo kategori, firmos për Bolusporin
Gentian Selmani është zyrtarisht portier i Boluspor, skuadër nga qyteti i Bolu, që militon në ligën e parë turke. Portieri 23-vjeçar largohet kështu pas një sezoni e gjysmë nga Menemespor, por nuk ndërron kategori duke firmosur me ish ekipin e Superligës turke. Pas 50 ndeshjeve me Menemespor dhe paraqitjeve të mira me këtë ekip, vjen kontrata e re për portierin nga Fushë-Kruja, i cili firmos për dy sezone e gjysmë me Boluspor, teksa përmirësohet ndjeshëm edhe aspekti financiar në skuadrën që lufton për t’u rikthyer në elitën e futbollit turk. Prej kohësh portieri i përfaqësueses së Shqipërisë është ndjekur me vëmendje nga shumë skuadra, por duket se drejtuesit e klubit nga Bolu janë treguar më të shpejtë duke mbyllur gjithçka. Ish portieri i Laçit ka qenë protagonist tek Menemespor dhe pritet që të japë kontributin e tij menjëherë duke nisur nga kjo fundjavë. Boluspor renditet në vendin e 13-të më 19 pikë, po aq sa edhe Menemespor skuadra ku Selmani u aktivizua në aventurën e tij të parë në tokën turke. 23-vjeçari pritet të debutojë në katërkëndëshin e portës së skuadrës së tij të re që këtë fundjavë, me Boluspor që do të presë të dielën në shtëpi Adana Demirspor.







































