Në seancën e djeshme plenare janë miratuar pesë akte normative, një projektligj dhe dy projektvendime. Dy nga aktet normative më të diskutuar ishin: ai për shtyrjen e afatit të kolaudimit të automjeteve dhe shpërndarja pa asnjë afat të caktuar të bonuseve të qirasë për të dëmtuarit nga tërmeti. Konkretisht, akti normativ “Për një ndryshim në aktin normativ nr. 8, datë 7.12.2019 të Këshillit Ministrave “Për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019”, zgjat trajtimin me pagesë qiraje deri në afatin kur banesa e të prekurve nga tërmeti rikonstruktohet ose përfundon së rindërtuari. Ky akt u miratua me 94 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim. Në diskutim e sipër, përfaqësuesit e qeverisë kërkuan miratimin sa më parë të tij, pasi varet fati i më shumë se 14 mijë familjeve që kanë mbetur të pastreha. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, në 2021 do të jenë më pak përfitues pasi një pjesë janë akomoduar në shtëpitë e reja. “Ky akt normativ prek 14 mijë familje dhe mbi 50 mijë persona, të cilët natën e vështirë të 26 nëntorit të vitit 2019 mbetën të pastrehë si rezultat i kësaj fatkeqësie natyrore. Për vitin 2020 u shpërnda rregullisht bonusi për familjet e prekura në një shumë totale prej gati 3 miliardë lekë. Një fond i cili sigurisht në vitin 2021 parashikohet më i reduktuar, pasi shumë nga punimet e nisura në kantieret e ndërtimit si funksion i procesit të rindërtimit do të akomodojë një pjesë të këtyre kërkesave dhe fondi për vitin 2021 parashikohet në vlerë më të ulët me gati 1.5 miliardë lekë”, thuhet ndër të tjera në përmbajtjen e aktit normativ.
Shtyhet afati për kolaudimin
Parlamenti votoi gjithashtu me 94 vota pro, 8 kundër dhe 3 abstenim aktin normativ “Për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik”, i cili synon shtyrjen me tre muaj të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik. Sipas të dhënave të publikuara, ky akt normativ do të shmangë grumbullimet e personave si pasojë e vendosjes së kufizimeve në lëvizje të tyre përgjatë ditës, nga ana tjetër do t’i japë kohë qeverisë të riformojë një sistem efikas kolaudimi. Gjithashtu ky akt normativ u jep kohë qytetarëve të mësohen me sistemin e ri të kolaudimit dhe rezervimet online. Me miratimin e këtij akti normativ të gjithë automjeteve që u ka skaduar certifikata e kolaudimit në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor 2020, do t’i shtojnë certifikatës edhe tre muaj të tjerë vlefshmëri. Ky akt normativ vlen edhe për ata që u ka skaduar kolaudimi në muajt e parë të 2021, por jo për ata që certifikata u ka mbaruar vlefshmërinë para shtatorit 2020. Sakaq bëhet me dije se ata që nuk përfitojnë nga ky akt normativ do duhet të paraqiten në qendrat e kolaudimit nga muaji shkurt, kur është parashikuar që të nisë puna.
Akte të tjera të miratuara
Akt normativ nr. 2, datë 13.01.2021 “Për autorizimin e Agjencisë Shtetërore për shpronësimin për negocimin e afatit të shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të nevojshme për ndërtimin e spitalit të Fierit” u miratua gjithashtu në seancën e djeshme plenare me 87 vota pro, 11 kundër dhe 2 abstenim. Ky akt normativ do t’u hapë rrugë punimeve për rindërtimin e spitalit të Fierit, i cili do të financohet nga qeveria turke. Sakaq u bë e mundur që, përmes aktit normativ nr. 35, datë 16.12.2020 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 1, datë 31.01.2020 të Këshillit të Ministrave “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike” miratuar me ligjin nr. 18/2020″, bëhet e mundur shtyrja e afatit të gjykatës dhe prokurorisë kompetente, të ngarkuara sipas aktit normativ, në ushtrimin e kompetencave deri në zgjidhjen përfundimtare të rasteve të referuara nga Policia e Shtetit të cilat janë depozituar deri më 31 dhjetor 2020.








































