“Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit Online” këtë vit do të ketë shfaqje nga teatrot, por dhe ato që janë pjesë e skenës së pavarur kulturore. Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” disa ditë më parë bënë me dije për zhvillimin e këtij festivali, që do të jetë në formatin online. Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës do të jetë pjesëmarrës në këtë festival me komedinë “Martesa” të autorit Anton Çehov, me regji nga Driada Dervishi. Teatri shprehet se edhe pse viti 2020 ishte mjaft i vështirë për të gjithë bëri që të vlerësohen mjaft gjëra, ku një ndër to ishte dhe takimi njerëzor që ndodh në teatër. “Edhe pse është ende herët për t’u takuar drejtpërsëdrejti, një gjetje e mrekullueshme është një takim i madh online! Teatri Kombëtar (TK) dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (TKEKS) kanë ndërmarrë iniciativën për t’i dhënë publikut shqipfolës një dhuratë këtë vit të ri: “Festivalin e Parë Mbarëkombëtar të Teatrit Online”. Ky festival do të zhvillohet me pjesëmarrjen e secilit prej teatrove të rretheve dhe të gjithë trevave shqipfolëse. Pjesë e këtij festivali është dhe teatri “Aleksandër Moisiu” me komedinë “Martesa” të Anton Chekhov, nën regjinë e Driada Dervishit”, bën me dije teatri “Aleksandër Moisiu” Durrës, që pak ditë më parë shënoi dhe 68 -vjetorin e tij. Kjo komedi është me një kast aktorësh, ku në role janë Sanie Hoti, Mimoza Marjanaku, Adelina Muça, Gjergj Doçi, Xhejni Fama, Amos Zaharia, Ervin Doko, Suela Bako, Eralda Çaushi, Marsel Rupi dhe Vilma Hodo. Shfaqja do të përcillet live në faqen e Teatrit Kombëtar gjatë festivalit që pritet të zhvillohet, po ashtu dhe në faqen e teatrit të Durrësit në Facebook në ditën e konkurrimit, që do të bëhet publike në vazhdim.
Ngjarjet në komedi
Komedia “Martesa” erdhi premierë në vitin 2015 nga regjisorja Driada Dervishi. Më herët regjisorja shprehej se komedia “Martesa” përmes 5 pjesëve nga Çehov vjen plot ritëm. “Në çdo pjesë në komedi ka 1-2 protagonistë kryesorë, është marrëdhënia mes çiftit, etj. Nuk janë vepra të lehta, sepse ka dhe momente të reflektimit apo ngrihen probleme të ditës, ndërsa kjo komedi vjen përmes një loje gazmore”, ka pohuar më parë regjisorja Dervishi. Në dy net, gjithçka ndodh në një martesë nga të kurdisurat për interes nga e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprac. Gjen një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja, e që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar se si do të jetë pas një viti martese jeta e tij. Po aty gjen një vejushë, që është betuar të mbajë zi për gjithë jetën, e që për ironi bie në dashuri me borxhliun e bashkëshortit. Fqinji i familjes, pikërisht në këtë dasmë gjen rastin të kërkojë dorën e mbesës, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja. Aktorët Ervin Doko dhe Eralda Çaushi janë personazhet e marrë nga monologu” Mbi dëmin e duhanit” dhe “Tragjik pa dashje”, ku burrit i ka ardhur në majë të hundës me jetën bashkëshortore me gjithë ngarkesat dhe detyrat pafund, që i jep çdo ditë e shoqja. Shfaqja hapet me nisjen e një martese, ku rolin e nuses (Dashenjkës e cila ka dëshirë të argëtohet) e luan aktorja Vilma Hodo dhe dhëndri koprac Apllombov nga aktori Marsel Rupi. Një martesë e kurdisur për interes nga e ëma e nuses, e cila luhet nga aktorja e mirënjohur e skenës Sanie Hoti. Një komedi, e cila sjell 5 ngjarje të ndryshme që ndodhin në një dasmë dhe që mbyllet me këngën e Mjellmës, këngë nostalgjie për kohën që ikën. Një nostalgji lirike, që përshkruan gjithë krijimtarinë e Çehovit.







































