Google search engine
Home Sport Çlirohet më në fund basketbolli, qeveria jep lejen për zhvillimin e garave...

Çlirohet më në fund basketbolli, qeveria jep lejen për zhvillimin e garave të koshit

0
308

Kërkesat e vazhdueshme të Federatës Shqiptare të Basketbollit, presioni i opinionit publik dhe natyrisht këmbëngulja e presidentit të FSHB-së, Avni Ponari, i cili futi në lojë edhe FIBA Europën që të nxiste qeverinë shqiptare të lejonte basketbollin të kthehej në fushë, më në fund ka një lajm të mirë. Pra, basketbolli do të kthehet në parket dhe klubet duhet të nxitojnë të përgatiten pasi duhet për garat zyrtare të sezonit. Është vetë dikasteri qeveritar i shëndetësisë, konkretisht Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, e cila i ka kthyer përgjigje pozitive Federatës Shqiptare të Basketbollit pas kërkesës së përsëritur për rinisjen e garave të sportit të koshit në Shqipëri. Padyshim, ky është një lajm i madh për komunitetin e basketbollit, i cili kishte rënë në depresion si pasojë e mungesës së garave, por edhe investimeve të mëdha që kishin bërë shumë klube dhe që nuk po korrnin dot produktin e punës së tyre. Për më tepër, Shqipëria ishte i vetmi vend europian e ndoshta botëror që nuk lejonte aktivitetet e basketbollit, edhe pse nuk kishte asnjë rast zyrtarisht të infektuar me kovid nga komuniteti i koshit në vendin tonë. Gjithsesi, lajmi pozitiv erdhi dhe tani klubet, në bashkëpunim me FSHB-në duhet të bëjnë çështë e mundur të zbatojnë rregullat protokollare antikovid për të evituar infektimet si dhe të përpiqen të bëjnë një garë serioze, rivalizuese dhe me cilësi.

Përgjigjja e Ministrisë

“Në përgjigje të shkresës tuaj, Nr. 3 Prot, datë 11 Janar 2021, të regjistruar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me Nr. 149 Prot, datë 12.01.2021, me lëndë: ‘Kërkesë për vëmendje dhe mbështetje të posaçme, për Federatën Shqiptare të Basketbollit’, ju bëjmë me dije se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e miraton kërkesën tuaj për zhvillimin e ndeshjeve të basketbollit. Gjatë zhvillimit të aktiviteteve të respektohen masat e distancimit social si dhe masat higjieno-sanitare për parandalimin e përhapjes së infeksionit Covid-19!”. Ky është qëndrimi zyrtar i institucionit qeveritar, i cili lejon kështu Federatën Shqiptare të basketbollit të vërë në punë klubet dhe shoqatat sportive të saj, për të mundësuar bërjen e aktiviteteve vjetore.

Kalendari

Një nga problemet themelore që i ka shkaktuar basketbollit pezullimi i aktivitetit është ngjeshja e kalendarit tani e tutje, pasi do të duhet që ekipet të zhvillojnë garë pa ndërprerje deri në fund të sezonit për të mbyllur sipas afatit garat zyrtare. Me këtë rast do të merret natyrisht Federata Shqiptare e Basketbollit, e cila, me siguri, do ta ketë një plan shpëtimi. Edhe pse me vonesë, rëndësi ka që kampionati do të luhet dhe ky mendohet të jetë lajmi më i madh për klubet e basketbollit në Shqipëri. Mbetet të shihet se cilat kategori do të lejohen të zhvillojnë gara zyrtare, por e mira do të ishte që të luheshin të gjitha kampionatet, përfshi dhe ato të moshave, në mënyrë që të rinjtë të tregojnë vlerat e tyre në parket.

Sportet e tjera

Me dhënien e lejes për basketbollin, qeveria mund të ketë krijuar precedentin për të rikthyer në fushë edhe garat sportive të federatave të tjera, përfshi dhe ato me sportet kolektive. Deri më tani rezulton futbolli e basketbollit, zyrtarisht, por këtë status mund ta marrë brenda pak ditësh edhe volejbolli, i cili po vuan në të njëjtën mënyrë për mosbërjen e veprimtarive vjetore. Edhe në volejboll nuk ka atë shkallë rreziku sikurse ka, fjala vjen, futbolli. Prandaj qeveria mund të bëjë lëshime në këtë pikë, duke kërkuar nga ana tjetër që të respektohet rigorozisht rregullat protokollare shëndetësore për këto raste. Nisje aktivitetetesh dhe lëvrim të buxhetit kanë kërkuar edhe federatat e sporteve individuale si boksi, mundja, peshëngritja, apo dhe sporte si atletika etj. të gjithë kanë objektiva dhe u duhet firma e qeverisë që të bëjnë gara zyrtare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here