Zvarritja e vetingut në polici ka irrituar edhe vetë anëtarët e mazhorancës. Në drejtimin e kryetares, znj. Ermonela Felaj, Nënkomisioni për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për Veting-un e Policisë zhvilloi dje mbledhjen e radhës me rend dite vijueshmërinë e procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. E ftuar për të dhënë shpjegime rreth ecurisë së procesit ishte znj. Ana Kapaj, Kryetare e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, e cila bëri një rezyme të plotë të punës së komisionit përgjatë vitit 2020. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit për vetingun në polici është krijuar para dy vitesh dhe deri më tani kanë kaluar në skaner vetëm 32 persona. Për të rritu mbikëqyrjen në këtë proces është krijuar gjithashtu një nënkomision, i cili shpesh ka kritikuar KJV se po ecën në hapa shumë të ngadaltë. Por pavarësisht këtyre kritikave, ritmi i procesit nuk ka ndryshuar aspak, për këtë arsye anëtarët e nënkomisionit kanë evidentuar një sërë problematikash dhe nuk i kanë kursyer kritikat ndaj KJV. E para që shprehu pakënaqësinë e saj ndaj punës së Komisionit ishte deputetja Antoneta Dhima, e cila pyeti anëtarët e KJV se kur kanë parashikuar të përfundojnë hetimet për të gjithë subjektet që përcakton ligji për vetingun në polici. “Me ritmet të cilat po ecën komisioni, doja të dija se kur parashikohet të përfundojnë hetimet për 259 subjektet që parashikon objektivi i këtij ligji”, evidentoi Dhima. Ajo çka acaroi më shumë situatën ishte pikërisht përgjigjja e kryetares se KJV, Ana Kapaj, e cila tha se me disa subjekte që janë në proces shqyrtimi në fund 2020 janë mbyllur hetimet për gati 32 subjekte, por ata nuk kanë ende një afat të përafërt se kur mund të përfundojë procesi. Sipas deputetëve, kjo është neglizhencë ndaj detyrës. Edhe për deputetin Sadi Vorpsi çështjet e shqyrtuara janë shumë pak. Sakaq, ai sugjeroi që të shikohen ndryshime në ligj për të përshpejtuar procesin. “Mendoj që 10 subjekte për 5 muaj janë pak. Është kthyer kjo në një situatë të lodhshme për të gjithë ne. Ju duhet ta dini se nuk mund të shkojë pafundësisht, sepse për 250 subjekte që duhen kaluar në veting i bie që të shpenzojnë 10 vite kohë dhe kjo nuk është normale. Për mendimin tim duhet të rishikoni dhe të bëhen disa ndryshime në ligj për të parë se ku çalon problemi, sepse kemi nevojë për një zgjidhje”, u shpreh ai.
KJV i paqartë
Sipas deputetëve, pjesë e nënkomisonit për vetingun, KJV është i paqartë në punën e tij dhe në problematikat që po has. Deputetja Elona Gjebrea pyeti kryetaren e KJV nëse ata si komision përgjegjës kanë konstatuar se cilat mekanizma duhen zhbllokuar në mënyrë që të përshpejtohet procesi i punës. Por edhe kësaj pyetje Kapaj nuk i dha një përgjigje konkrete, ajo tha se procesi është në vetvete shumë i komplikuar dhe kërkon shumë kohë. Duke marrë parasysh paqartësitë e shprehura nga KJV Gjebrea sugjeroi që, komisioni të bashkëpunojë më tepër me institucione të tjera të ngjashme dhe raportin që ka përpiluar tua dërgojë atyre për konsultime si dhe për marrje këshillash. “Kërkohet dhe pritet më shumë nga puna e këtij Komisioni. Këtë raport që ju po e paraqisni sot, me sa institucione e keni dërguar dhe a jeni konsultuar për problematika të përbashkëta? Koha që i lihet subjektit për të provuar deklarimet e tij a është e mjaftueshme? Të gjithë ne presim që të gjendet një zgjedhje dhe të zhbllokohen problematikat që dinamika e punës të jetë më e shpejtë. Prandaj sugjeroj që të konsultoheni dhe me institucione të tjera pasi puna bëhet më e mirë kur bëhet në grup”, u shpreh Gjebrea. Këtu kryetarja evidentoi një nga pikat që vonon procesin, që u prek më parë nga deputetët, ajo tregoi se raporti nuk është dërguar në institucione të tjera, por kohët e fundit kanë diskutuar me QKB, SHISH dhe të tjera për ecurinë e punës.








































