Dje Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi mbledhjen plenare të radhës ku vendosi që z. Erion Çela, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, të caktohet përkohësisht të ushtrojë funksionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë. Me 6 vota pro dhe 3 kundër (z. Kostaq Beluri, z. Bujar Sheshi dhe znj. Esmeralda Keshi ), Këshilli vendosi për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë të z. Erion Çela për një afat 3 mujor duke filluar nga data 27.01.2021. Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi me 8 vota pro dhe 1 kundër (znj. Esmeralda Keshi), z. Aurel Zarka, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë të ushtrojë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për një afat 3 mujor duke filluar nga data 27.01.2021. Në vazhdim, Këshilli vendosi 7 caktime të përkohshme si vijon; në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, z. Genti Xholi; në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Shkallës së Parë Përmet, z. Asllan Bajramaj; në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Shkallës së Parë Sarandë, z. Lorenc Mërkuri; në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Shkallës së Parë Shkodër, z. Albert Murçaj; në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, znj. Afërdita Ndoi; në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, z. Lazër Çardaku dhe në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, z. Ludovik Doda. Në përmbyllje të procedurës së verifikimit për 4 (katër) prokurorë në pozicionin e Inspektorit pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, znj. Danjela Sulaj, znj. Elena Pelushi (Bakallbashi), znj. Lindita Ziguri (Male) dhe z. Julian Zonja, Këshilli i Lartë i Prokurorisë me Vendimin nr.12, datë 14.01.2021, ka vendosur të vlerësojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për këta kandidatë si dhe të lejojë vijimin e procedurës së komandimit si Inspektor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Me datë 19.01.2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka përcjellë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë emrat e katër kandidatëve dhe Opinionet e miratuara nga Këshilli. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka bërë përzgjedhjen e katër emrave të dërguar. Sot, Këshilli vendosi në unanimitet komandimin e 4 (katër) prokurorëve në pozicionin e Inspektorit pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Periudha e komandimit do të jetë 5 (pesë) vjet dhe fillon nga data 15.02.2021.








































