Pas lajmit se mjeku Pëllumb Pipero është infektuar me COVID-19 12 ditë pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, ka reagur edhe drejtoresha e ISHP-së. Ajo thotë se doza e parë jep një mbrojtje pjesore prej 52% dhe vetëm një javë pas dozës së dytë jep mbrojtje 95%. Sipas Albana Ficos, rekomandohet që masat të mbahen dhe gjatë procesit të vaksinimit.
“Pas dozës së parë përtej 12 ditëshit nga bërja e vaksinës kemi mbrojtje pjesore në 52 % rasteve ndërsa me aplikimin e dozës së dytë pas një jave fillon rritja e antitrupave deri në 95%. E thënë kjo ne jemi në një situatë ku njerëzit që janë vaksinuar me dozën e parë, qëndrojnë dhe përballen me një infeksion nga COVID-19 dhe kjo është arsyeja që ne kemi ngulur këmbë dhe gjatë procesit të vaksinimit dhe pas vaksinimit duhet ruajtur rregullat, mbajtja e maskës dhe e distancës. Kjo është e vërteta dhe ky nuk është vetëm fenomen shqiptar”, tha znj. Fico.
Sipas kreut të ISHP-së, vaksinat kanë mbërritur dhe janë ruajtur në kushte optimale.
“Vaksinat futen në vende të ndryshme sipas një rregullatori që është përgjegjës për sigurinë e vaksinës. Në Shqipëri vaksina Pfizer ka hyrë me autorizim dhe pasi është zhdoganuar ka mbërritur në ISHP për të cilin unë jam përgjegjëse tu them me përpikmëri që ka ardhur në kushte optimale. Ky proces që është sensitiv në kohë pandemie, fillimin e ka te cilësia e vaksinës, siguria dhe efikasiteti i saj. Ne nuk dyshojmë te Pfizer, për çfarë na është vënë dispozicion ne, dimë që ka ardhur në kushte optimale dhe është transportuar në kushte optimale, sipas përshkrimit të kërkuar nga Pfizer dhe është aplikuar”, tha Fico.








































