Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka ngritur shqetësimin e fyerjes së figurave publike në rrjetet sociale. Pacolli shkruan se persona me profile anonime shajnë, fyejnë e kërcënojnë në rrjete sociale.
Madje ai bën të ditur se vetëm dje e kishin fyer 5 komentues, të cilët më pas i kishte verifikuar dhe i kishte rezultuar se ishin anëtarë të familjeve të cilat ai i ndihmonte me para për trajtim jashtë vendit me bursa dhe ndihma të tjera.
Postimi i plotë:
Rrjetet sociale janë në funksion të këmbimit të mendimeve, shpalosje idesh, bashkëbisedim dhe KRITIKA TE ARTIKULUARA që na lëvizin përpara. Ka njerëz që shfrytëzojnë anonimitetin dhe degradojnë në gjuhën fyese, e cila përveç derdhjes së frustrimit, nuk shërben për asgjë tjetër.
Në platformat e mia mediatike , ka një shumicë dërmuese që me mirësjellje shpalosë edhe lëvdatën edhe kritikën, por ka edhe të tillë që në mënyrë perverze keqpërdorin platformën që ua kam mundësuar duke perdorur gjuhën e urrejtjës e përcjellur me shpifje, fyerje e sharje të llojllojshme.
Kêtë fenomen të shëmtuar të ofendimit nga anonimiteti e kanë shndërruar në politikën e tyre kryesore dhe bëjnë luftë me rivalët e tyre.
Duke shfletuar se cilët janë këta shpirtra të mbushur me urrejtje, gjeta se adresa është kryesisht e njëjtë.
E njëjta fabrikë parapolitike!
Vetem sot 5 komentues që më fyen, ishin anëtarë të ngushtë të familjeve të cilëve u ndihmoja me shumë para në trajtim jashtë vendit me bursa dhe ndihma të tjera.
Pra, pa vonesë, erdhi “mirënjohja”.










































