Google search engine
Home Politike Ndërtimi i spitalit në Fier/ Komisioni i Ligjeve miraton aktin normativ për...

Ndërtimi i spitalit në Fier/ Komisioni i Ligjeve miraton aktin normativ për shpronësimin e pronarëve, ja detajet

0
272

Komisioni i Ligjeve ka miratuar ditën e djeshme aktin normativ “Për autorizimin e Agjencisë Shtetërore për shpronësimin për negocimin e afatit të shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të nevojshme për ndërtimin e spitalit të Fierit”. Të pranishëm në mbledhjen e Komisionit për të prezantuar aktin normativ dhe për t’u dhënë shpjegime pyetjeve të deputetëve ishte z. Etjen Xhafaj, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe stafi teknik i kësaj ministrie. Xhafaj sqaroi se, ky akt normativ do direktojë procesin e shpronësimit dhe rënies në dakordësi me pronarët e zonës ku do të ndërtohet spitali i Fierit. Ministri bëri me dije se pikat që përmban ky akt nuk do lejojnë që të krijohen konflikte apo abuzime mes shtetit dhe pronarëve atje. “Miratimi i aktit normativ do të autorizojë Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin për negocimin e afatit të shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të nevojshme për fillimin e punimeve për ndërtimin e spitalit të ri rajonal të Fierit. Gjithçka do të bëhet në transparencë dhe duke respektuar me përpikmëri përmbajtjen e këtij akti normativ”, u shpreh ai. Pas diskutimeve, komisioni miratoi me shumicë votash aktin normativ dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare. Me këto lëvizje, premtimi i presidentit turk Erdogan se do të ndërtojë spitalin rajonal të Fierit para 25 prillit, do realizohet shumë shpejt. “Me autorizimin e Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin që të negociojë dhe të nënshkruajë marrëveshje me pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që do të shpronësohen për ndërtimin e spitalit të Fierit. Çdo pronar shpronësohet në përputhje me çmimin e përcaktuar në legjislacionin në fuqi. Nënshkrimi i marrëveshjes së përcaktuar në nenin 1, të këtij akti normativ, nuk pengon pronarët për kundërshtimin në rrugë gjyqësore të çmimit të shpronësimit”, thuhet në aktin normativ. Spitali i Fierit është një investim prej 60-70 milionë eurosh nga Turqia. Kujtojmë se fermerët, pronarë të tokave ku parashikohet të ndërtohet Spitali i ri i Fierit kanë protestuar për kompensimin. Ndërtimi i spitalit rajonal të Fierit ishte një prej marrëveshjeve që u firmosën në Ankara gjatë vizitës dyditore që kryeministri Rama zhvilloi në Turqi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here