Google search engine
Home Aktualitet KKTKM miraton projektin e restaurimit për muzeun Etnografik në Durrës

KKTKM miraton projektin e restaurimit për muzeun Etnografik në Durrës

0
889

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve përforcuese- restauruese në objektin “Banesa Aleksandër Moisiu- Muzeu Etnografik, në Durrës”. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shprehet se në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, ka hartuar një listë monumentesh me prioritet ndërhyrjeje dhe ka marrë masat për hartimin e projekteve. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shprehet se mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Godina është ndërtuar me dy kulla në miniaturë, të cilat lidhen nga ana arkitekturore me një çardak dhe me një shkallë që shkon në çardak. Struktura e jashtme është ndërtuar me gurë mesatare katrore. Muzeu është hapur në vitin 1982 në ambientet e shtëpisë karakteristike durrsake të shekullit XIX. Në dhomat e këtij muzeu ndodhen më shumë se 300 objekte, veshje dhe enë të traditës së qytetit dhe trevës. Në dy dhoma të muzeut, shpalosen në stenda biografia familjare dhe artistike të Aleksandër Moisiut, bazuar në dokumente autentike, kurse në dhomën e dytë paraqiten vepra arti të krijuesve vendas për figurën e aktorit të madh. Në dhomat e tjera, janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtërisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij. Ky muze përmban koleksione të pasura të veshjeve popullore të trevës etnografike të zonës së Durrësit dhe të Shqipërisë së Mesme, si dhe punime artizanale në material leshi, mëndafshi, pambuku, briri, bakri e guri. Aleksandër Moisiu aktori me baba shqiptar dhe nënë italiane ka kaluar në këtë shtëpi disa nga vitet e fëmijërisë së tij. Koha vetëm e ka çmuar më shumë ndërtesën qytetare të Durrësit për këtë fakt. Aleksandër Moisiu ka kryer studimet e hershme elementare në Durrës e më pas familja e tij u zhvendos në Trieste. Aleksandër Moisiu njihet për temperamentin e tij të fortë artistik që la gjurmë në skenat evropiane të artit skenik. Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, etj. Aleksandër Moisiu lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste dhe vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here