Google search engine
Home Sport Vllaznia ndalet në shtëpi, Partizani ka shans t’i afrohet në renditje

Vllaznia ndalet në shtëpi, Partizani ka shans t’i afrohet në renditje

0
262

Dje u luajtën tri nga pesë ndeshjet e javës së 16-të të Kategorisë Superiore, të cilat prodhuan jo pak emocione dhe surpriza, e ku padyshim frenimi i Vllaznisë në fushën e saj në “Loro Boriçi” regjistron një moment interesant të kampionatit, sepse u jepet shansi rivalëve t’i afrohen skuadrës shkodrane pas kësaj xhiroje. Me pak fjalë, Vllaznia ka bërë atë që mund të quhet hapi i parë fals i këtij sezoni, teksa ka lënë pikë në shtëpi ndaj një kundërshtari që nuk është rival direkt në luftën për Europën apo titullin kampion. Skuadra shkodrane e ka mbyllur në një barazim pa gola sfidën ndaj Kastriotit në shtëpi, duke i dhënë një shans skuadrave ndjekëse që të shkurtojnë diferencën me të. Kastrioti i përgjysmuar nga mungesat, ishte përqendruar te loja mbrojtëse, për të mbajtur sa më larg sulmin e rrezikshëm të shkodranëve dhe ia doli shumë mirë ta bënte një gjë të tillë duke i detyruar ata që të kërkonin golin vetëm me harkime në zonë nga krahët apo gjuajtje nga distanca të cilat nuk rezultuan efektive. Në ato momente të pakta kur Vllaznia doli para portës, Hidi u tregua vendimtar me ndërhyrjet e tij, duke ruajtur të paprekur katërkëndorin. Nervozizmi për mungesën e golave bëri të vetën në pjesën e dytë, ku ndeshja u ndërpre vazhdimisht për faulle, pa harruar këtu edhe terrenin e vështirë si pasojë e shiut dhe erës së fortë. Ndaj në fund, barazimi 0-0 deri diku ishte rezultati i duhur, me krutanët të cilët në emergjencë të plotë siguruan një pikë të rëndësishme për tabelën, por edhe për moralin. Ky barazim do të favorizojë partizanin të rihapë garën për titull, gjithmonë nëse ia del të mposhtë Teutën, me të cilën ndajnë vendet 2 dhe 3 në renditje, me nga 26 pikë secili.

Kukësi largon krizën, vjen fitorja e dytë radhazi, këtë herë me Bylisin

Kukësi po rikthehet më në fund në ditët e tij të mira pas shumë zhgënjimesh radhazi në kampionat. Dhe dje arriti fitoren e dytë radhazi në Superiore, shenjë e përtëritjes së kësaj skuadre me kalimin e ditëve. Pas suksesit 1-3 në Fier ndaj Apolonisë, Kukësi mposhti pasditen e sotme Bylisin me rezultatin 2-1 në “Elbasan Arena”, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi dhe duke u ngjitur përkohësisht në vendin e katërt me 23 pikë. Pa trajnerin Dovedan në pankinë dhe Ujkën në mesfushë, të dy të pezulluar, ballshiotët surprizuan Kukësin në minutën e 26-të, duke kaluar në avantazh me golin e shënuar nga mbrojtësi Stojanoviç. Megjithatë reagimi i verilindorëve ishte mjaft i mirë dhe në minutën e 40’ kapiteni Agim Ibrahimi riktheu baraspeshën, ndërsa në të 57-ën ishte sulmuesi Eze që shënoi golin e dytë, duke i dhënë avantazhin Kukësit, rezultat që të besuarit e Hallaçit e ruajtën deri në fund, duke shtuar edhe 3 pikë të tjera në llogarinë e tyre.

Skënderbeu zhgënjen, vetëm barazim me Apoloninë, mbetet i fundit

Nuk ka fitues as në sfidën direkte për mbijetesën, mes Skënderbeu dhe Apolonisë, pasi 90 minutat e zhvilluara në Korçë u mbyllën në barazim 1-1 dhe të dy skuadrat ndanë nga një pikë. Pas një pjese të parë në barazim pa gola, sfida u zhbllokua në minutën e 49-të, kur arbitri akordoi një penallti për vendasit dhe Jorgo Meksi u tregua i saktë, duke mposhtur portierin Harizaj. Vetëm pak minuta më vonë korçarët i shkuan pranë edhe golit të dytë, por sulmuesi Mensah nuk arrin të shtyjë në rrjetë një top që ishte mbi vijën fatale, ndërsa më pas edhe tentativa e Pusit u ndal nga portieri fierak. Në minutën e 72-të Mario Gjata depërtoi në zonën e korçarëve dhe pas një kontakti me Barjamajn, u shpërblye me penallti nga arbitri Beqiri. Ekzekutimin e mori përsipër vetë sulmuesi i fierakëve, që gjuajti saktë dhe riktheu baraspeshën. Korçarët e Ahmatajt provuan deri në fund të gjejnë golin e fitores, por nuk ia dolën dhe u detyruan të kënaqen me një pikë, rezultat që u shkon më përshtat fierakëve, që ngjiten kështu në vendin e 8 me 13 pikë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here