Komedia “Udhëtimi pa vizë i një alieni” ishte përzgjedhja e teatrit “Aleksandër Moisiu” për programin artistik online, që po vijon këtë kohë. Vepra e autorit Bashkim Hoxha me regji nga Hervin Çuli ka në role aktorët Fatos Sela, Sanie Hoti, për të vijuar dhe me Genti Deçka, Lorenc Kaja, Adelina Muça, Arben Spahija dhe Alban Musa. Komedia, që u shfaq në rrjetin social Facebook të teatrit “Aleksandër Moisiu” sjell me nota therëse, shpesh herë edhe tragjikomike një realitet mjaft të ndjeshëm për shikuesit shqiptarë: dëshirën e tyre për të udhëtuar pa vizë jashtë shtetit. Shkruar nga dramaturgu i njohur Bashkim Hoxha, kjo shfaqje teatrore erdhi në programin artistik online, që po vijon edhe në kuadër të 68-vjetorit të teatrit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Në këtë komedi bashkë me aktorët e njohur Fatos Sela dhe Sanie Hoti, të cilët interpretojnë çiftin e fshatarëve në oborrin e të cilëve shfaqet alieni, në skenë me këtë vepër teatrore më parë kanë debutuar me sukses edhe emra të tjerë të teatrit si Genti Deçka, Arben Spahia, Alban Musa, Lorenc Kaja dhe Adelina Muça. Skenografia dhe kostumografia është nga Albana Rexha. Vepra shoqërohet edhe me disa imazhe filmike, që i përkasin periudhës së diktaturës për të treguar që ka ndryshuar vetëm sistemi imazhet, por mentaliteti ka mbetur po ai. Kënga “Imagine” e John Lenonit dhe një intervistë e censuruar e tij dhënë në Amerikë, ku ai flet për një vend që quhej Njutopia Newutopia janë gjithashtu shoqëruese të shfaqjes teatrore. Kjo vepër teatrore u shfaq në 2010 premierë në skenë dhe u risoll online mbrëmjen e datës 23 janar për artdashësit. Shkrimtari Bashkim Hoxha “Mjeshtër i Madh” është autor i një sërë dramash dhe komedish të njohura për publikun shqiptar, si dhe ka fituar gjithashtu disa çmime në konkurset e dramës. Nga dora e shkrimtarit Bashkim Hoxha kanë dalë një radhë veprash si:”Kronikat e Mjegullës”, “Gruaja e shiut”, “Romancë në ditën e krimit”, “Lakuriq”, “Ground Zero”, “Dëshmitari i Shkretëtirës”, “Hotel Ballkan”, “Mbreti i Vesës”, “Mot i keq për dashuri”, “Njeriu tjetër”, “Një lolo dhe një mbret”, “Unë dhe Mefistofeli” (dramë), “Ftesë për gjyq”, “Këngë dashurie dhe korba”, “Qyteti pa dashuri”, etj. Romani “Balkan Hotel” dhe romani “Ground Zero”janë botuar edhe në anglisht nga Wheatmark (Arizona, USA). Bashkim Hoxha në krijimtarinë e tij shquhet për gjetje origjinale dhe këndvështrime interesante.







































