Ditën e djeshme Presidenca me anë të një njoftimi bëri të ditur takimin e presidentit Ilir Meta dhe Avokates së Popullit Erinda Ballanca të cilët diskutuan për çështjen e projektit infrastrukturor të rrugës bregdetare Vlorë-Orikum. Presidenti Meta i bëri me dije Avokates së Popullit peticionin dhe shqetësimet e drejta të ngritura nga banorët e Radhimës, Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit, për shkeljen e të drejtave të tyre themelore në procesin e hartimit të projektit infrastrukturor “Rikualifikimi i Vijës Bregdetare Vlorë – Radhimë- Orikum”, si dhe trajtimit të pronave të tyre të ndodhura në këtë aks rrugor. Presidenti Meta e nxiti Avokaten e Popullit të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme vlerësimin e këtyre ankesave. “Janë parashtruar deri më tani mbi 60 ankesa nga banorët lidhur me këtë projekt dhe se ky institucion, ka filluar një hetim administrativ për këtë çështje. Vlerësimi i ankesave të komunitetit lidhur me mosrespektimin e pretenduar të të drejtave dhe lirive themelore duhet të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme, në mënyrë objektive dhe të pavarur, të garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, gjatë hartimit, miratimit dhe implementimit të këtij projekti infrastrukturor”, u shpreh Meta. Ballanca tha se do të bëhet një vlerësim final shumë shpejt në lidhje me problematikat që banorët kanë ngritur. “Shumë shpejt do të bëhet vlerësimi final dhe hartimi i një raporti përfundimtar në lidhje me këto problematika, që janë në shqyrtim prej Avokatit të Popullit dhe që banorët i kanë ngritur së fundmi edhe tek Presidenti i Republikës”, sqaroi Ballanca. Kreu i shtetit theksoi se për projektet infrastrukturore me një rëndësi kaq të madhe duhet të respektohen të drejtat themelore të pronarëve dhe të banorëve. Sipas tij nëse Qeveria dhe pushteti vendor, shmangin respektimin e të drejtave të qytetarëve, është detyra e institucioneve të pavarura dhe e Gjykatës, të kryejnë vlerësimin e çdo pretendimi sipas fushave të tyre të përgjegjësisë. “Qytetarëve u nevojitet transparencë, pasi çdo projekt infrastrukturor i një rëndësie kaq të madhe duhet të jetë i mirëmenduar, i konsultuar sipas kërkesave të ligjit dhe duhet të respektojë të drejtat themelore kushtetuese të banorëve dhe pronarëve”, njoftoi Presidenca.








































