Hungaria është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që jep miratimin paraprak për përdorimin e vaksinës ruse kundër koronavirusit, Sputnik V.
Siç shkruan BBC, të enjten, shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban konfirmoi se vaksinës ruse dhe asaj nga Oxford-AstraZeneca i ishte dhënë drita jeshile nga autoritetet shëndetësore vendase.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto po udhëton në Moskë për bisedime të mëtejshme, ku pritet të diskutojë një marrëveshje për furnizmin dhe shpërndarjen.
Rezultatet e hershme nga testet e vaksinës Sputnik kanë qenë premtuese.
Zyrtarët shëndetësorë hungarezë janë gjithashtu në Pekin për bisedime me autoritetet kineze mbi miratimin dhe shpërndarjen e menjëhershme të një milion dozave të vaksinës Sinopharm, e cila tashmë po përdoret në Serbinë fqinje.