Pas sanitares Tire Alldervishi që punonte në spitalin Covid 2 e cila zhvati nga paratë vajzën e një pacienteje me koronavirus, emisioni Stop në Tv Klan sjell sonte një tjetër rast abuzimi.
Bëhet fjalë për një skandal në sistemin shëndetësor, kësaj radhe në Spitalin Infektiv ose në spitalin Covid 1. Një qytetar, djali i një 58-vjeçari, ka denoncuar se babait të tij, i cili ishte i shtruar në spitalin Covid 1 pasi ishte infektuar me koronavirus, i kanë vjedhur paratë që kishte në portofol.
Sipas denoncimit të tij, babai iu shtrua në spital më 22 Dhjetor 2020 dhe humbi jetën më 27 Dhjetor 2020. Djali thotë se para se të shtronte të atin në spital, i kishte dhënë portofolin me 202 mijë Lekë të vjetra, brenda së cilës ndodhej edhe karta e bankomatit së bashku me kodin pin. Por dy ditë përpara se babai të humbiste jetën, denoncuesi tregon se nga bankmati ishin tërhequr para me kartën e bankës që kishte lënë në portofolin e të atit.
Bëhet fjalë për datën 25 Dhjetor, kohë që përkon me ditën kur babai i denoncuesit ishte futur në intubim pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Dy ditë pas këtij veprimi, më 27 Dhjetor babai i tij ndërroi jetë për shkak të Covid-19. Punonjësit e spitalit Covid 2 i kthyen denoncuesit sendet personale të babait.
Ai vuri re se brenda portofolit mungonin 200 mijë Lekë të vjetra, por kishin mbetur vetëm 2 mijë Lekë të vjetra. Edhe karta e bankës së bashku me shënimin për kodin pin mungonte. Djali thotë se ka vënë në dijeni edhe infermieren, me të cilën fliste për shëndetin e të atit, por ajo ka refuzuar ta denoncojë këtë akt.