Investimet dhe prioritet e Bashkisë Gjirokastër për vitin 2021, bilanci i asaj që ka ndodhur në këtë bashki gjatë vitit 2020, aktualiteti politik, riorganizimi dhe pritshmëritë që ka Partia Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kanë qenë disa nga çështjet për të cilat ka folur kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi. Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zbuloi se gjatë vitit 2021 do të ketë investime në ujësjellës, infrastrukturë dhe objektet kulturore në të gjithë Bashkinë Gjirokastër, ndërsa theksoi se pjesa më e madhe e projekteve të parashikuara për vitin 2020 përfunduan zbatimin. Më tej kryebashkiaku Golemi renditi edhe arsyet se përse PS e ka të sigurt fitoren në zgjedhjet e 25 prillit.
-Zoti Golemi, viti që sapo lamë pas ka qenë tejet aktiv dhe ka pasur shumë zhvillime në bashkinë që ju drejtoni prej qershorit të vitit 2019. Cilat ishin projektet kryesore dhe investimet publike në Gjirokastër për vitin 2020?
Megjithëse 2020 do ta cilësoja si një vit të vështirë, për shkak të pandemisë, sërish në Bashkinë e Gjirokastrës realizuam mjaft investime të rëndësishme si për sa i përket zhvillimit social-ekonomik ashtu edhe rritjes së cilësisë së jetës për komunitetin. Krahas investimeve të realizuara me të ardhurat lokale, mbështetje kryesore për konkretizimin e tyre, ka qenë bashkëpunimi me qeverinë qendrore, ndërsa janë financuar rreth 10 milionë euro për zbatimin e projekteve të ndryshme. Gjithashtu kemi përfituar financime edhe nga programet e Bashkimit Europian. Investimet e zbatuara përgjatë 2020 përfshijnë rehabilitimin e infrastrukturës rrugore, godinat shkollore, rikonstruksionin e objekteve social-kulturore, nxitjen e turizmit, agropërpunimit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për komunitetin si në qytetin e Gjirokastrës ashtu edhe në njësitë administrative. Një prej projekteve madhore është ndërtimi i ujësjellësit të ri të qytetit, i cili do të sigurojë furnizimin 24 orë më ujë të pijshëm, për të vazhduar me rikonstruksionin e teatrit “Zihni Sako”, një investim i munguar prej gati tre dekadash. Gjithashtu kemi investuar për rikonstruksionin e godinave të shkollave “Çajupi”, “Koto Hoxhi”, gjimnazit “Asim Zeneli”, etj. Një projekt i rëndësishëm ka qenë përdorimi me eficencë i energjisë ndërsa është mundësuar një sistem ndriçimi bashkëkohor me llamba LED në qytetin e Gjirokastrës, por edhe rehabilitimi i tij në njësitë administrative. Projekte të rëndësishme të zbatuara në bashkëpunim me qeverinë kanë qenë ato për restaurimin dhe rijetëzimin e vlerave muzeale të Pazarit karakteristik, Kalasë së gurtë, etj. si edhe monumenteve të kulturës në njësitë administrative dhe vendosjen e tyre në shërbim të zhvillimit të turizmit. Në vëmendje ka qenë edhe nxitja e sektorit të bujqësisë dhe agropërpunimit ndërsa kemi realizuar investime në mbështetje të fermerëve në sipërfaqet bujqësore. Krahas ndërhyrjeve të vazhdueshme në infrastrukturën rrugore ndër investimet e rëndësishme në fshatra do të veçoja ndërtimin e ujësjellësit të ri në fshatin Lazarat. Gjithashtu rëndësi i është kushtuar edhe mbrojtjes së mjedisit dhe vlerave natyrore duke bashkëpunuar me disa ambasada të huaja në vendin tonë, në kuadër të programeve të Bashkimit Europian.
-Sa prej këtyre projekteve u realizuan gjatë vitit 2020?
Pjesa më e madhe e projekteve të parashikuara përfunduan zbatimin përgjatë këtij viti, ku realizimi i investimeve publike llogaritet në masën 87%. Për vetë specifikën e tyre ka disa projekte për të cilat do të vazhdojnë punimet edhe gjatë 2021 siç është ai për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Gjirokastrës, rikonstruksionin e teatrit “Zihni Sako”, etj. Kemi qenë të angazhuar që megjithë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia të përfundojmë në kohë investimet kryesore publike duke mos lënë pas dore edhe punimet mirëmbajtëse në sektorë të ndryshëm apo shërbimet publike në tërësi për komunitetin. Banorët kanë shprehur vlerësimin për investimet publike të zbatuara, përgjatë këtij viti, pasi kanë prekur rezultatet e tyre në rritjen e cilësisë së jetës për komunitetin dhe zhvillimin turistik dhe social-ekonomik të Gjirokastrës si një qendër e rëndësishme në Jug të vendit.
-Sezoni turistik i këtij viti ishte i vështirë. Sa turistë e frekuentuan qytetin e Gjirokastrës dhe muzetë e tij gjatë 2020?
Pandemia krijoi vështirësi për ecurinë e suksesshme të turizmit përgjatë këtij viti në Gjirokastër, ashtu siç patëm një bum vizitorësh në 2019. Megjithatë sërish qytetit të Gjirokastrës dhe rrethinave nuk i kanë munguar turistët vendas dhe të huaj. Janë rreth 60 mijë turistë, të cilët kanë vizituar monumentet e kulturës dhe komplekset muzealë. E veçantë për sa i përket turizmit këtë vit kanë qenë fundjavat madje me kënaqësi mund të pohoj se Gjirokastra ka qenë destinacion turistik i preferuar. Gërshetimi i vlerave muzeale, traditës së larmishme me aktivitetet kulturore të organizuara nga bashkia ka tërhequr një numër të konsiderueshëm vizitorësh gjatë fundjavave, duke qenë edhe mbështetje për sektorin e turizmit dhe zbutjen e efekteve negative që shkaktoi pandemia. Interes përgjatë këtij viti nga turistët ka patur edhe për të vizituar muzeumet megjithëse në shifra të ulta krahasuar me vitin paraardhës. Janë rreth 33 mijë turistë, të cilët kanë vizituar kalanë e gurtë dhe vlerat historike të saj. Interes ka patur edhe për të vizituar Muzeun e Armëve, Muzeun Etnografik, “Shtëpinë Kadare” apo sitet e trashëgimisë kulturore në rrethinat që kanë mirëpritur turistë vendas dhe të huaj. Ne si bashki kemi siguruar mirëfunksionimin e muzeumeve, ndërsa synojmë rivitalizimin e tyre në përputhje me standardet bashkëkohore të zhvillimit të turizmit.
-Cilat janë disa nga projektet e Bashkisë Gjirokastër për 2021?
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, miratuam buxhetin lokal 2021, i cili synon dyfishim të investimeve publike ndërsa vazhdojmë të ulim shpenzimet për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzimet operative. Krahas mbështetjes së pakursyer të qeverisë qendrore, përfitojmë financime edhe nga programet e BE-së. 82 milionë lekë llogaritet vlera e fondit për të konkretizuar investimet e reja. Do të rikualifikohet hapësira urbane përreth stadiumit “Gjirokastra” duke e shndërruar në një ambient rekreativ në shërbim të qytetit, larg asaj që shohim sot. Rikonstruksionin e teatrit “Zihni Sako”, ku po punohet, do ta përfundojmë me shumë mundësi në pranverë të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që dy projektet madhore, që presim të fillojmë gjatë 2021, me mbështetjen direkte të qeverisë, janë rehabilitimi i sheshit “Çerciz Topulli” dhe ndërtimi i parkimit nëntokësor, si dhe Bypassi që nis nga Ura e Nanxës. Gjithashtu investime të rëndësishme kemi planifikuar edhe në njësitë administrative ku do të rikonstruktohet rruga e fshatit Picar, do të rehabilitohen disa kanale vaditëse në zonat rurale për të ndihmuar fermerët, si dhe do të ndërhyjmë në Urën e Subashit. Gjithashtu do të ketë investime të tjera të vogla në rrugët rurale të disa fshatrave. Kemi programuar investime të rëndësishme në të gjithë sektorët duke përfshirë edhe sportin, që është një ndër përfituesit kryesorë të buxhetit, me financimin 10 milionë lekë për AF Luftëtari si dhe investimet në stadiumin “Gjirokastra”, Fushën e Vjetër dhe Pallatin e Sportit. Kantieret që do të hapim gjatë 2021 janë shumë të rëndësishme për të përmirësuar më tej jetën e banorëve, për të krijuar vende të reja pune, për të nxitur investime të reja dhe për të ndihmuar perspektivën zhvillimore të Gjirokastër, si një pol i rëndësishëm turistik në jug të vendit.
-Si u menaxhua nga Bashkia Gjirokastër situata e përmbytjeve gjatë ditëve të fundit?
Gjatë ditëve me reshje intensive të gjitha strukturat e Bashkisë Gjirokastër kanë qenë në terren për t’iu ndodhur pranë banorëve, kudo ku kishte probleme dhe duhej ndërhyrja jonë, për t’ju siguruar jetën dhe për të mbrojtur sa të mundnim pronën e tyre. Puna e bërë nga strukturat e bashkisë për sa u përket investimeve në rrugë në qytet dhe fshatra, mirëmbajtjes së kolektorëve apo rrjetit të kullimit në tokat bujqësore dha frytet e veta, duke bërë që dëmet nga moti i keq të jenë minimale. Në këtë drejtim, ndihmuan edhe investimet e rëndësishme të zbatuara nga Ministria e Bujqësisë siç është ai për sistemimin e rrjedhës së lumit të Palokastrës, çka shmangu problematikën e përsëritur në vite në këtë zonë. Punë që flet vetë më shumë se çdo fjalë tjetër dhe më shumë se çdo klithje dëshpërimi e atyre që presin qametin për të bërë politikë. Gjithmonë në situatat e emergjencave do të jemi në krye të detyrës dhe do t’i gjendemi pranë komunitetit.
-Po bashkia që ju drejtoni si po e menaxhon situatën e pandemisë, pasi opozita e veçanërisht disa ish-deputetë të këtij qarku kanë bërë përgjegjës kryebashkiakun Golemi për menaxhimin?
Aktualisht mund të them se në Bashkinë e Gjirokastrës situata e pandemisë është nën kontrollin e strukturave shtetërore ndërkohë që rastet e regjistruara me COVID-19 gjatë ditëve të fundit kanë ardhur në ulje. Nisja e vaksinimit në rang kombëtar, do të jetë një ndihmë e rëndësishme si për popullatën ashtu edhe për strukturat e shëndetit publik, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Për t’i dhënë përgjigje të plotë pyetjes suaj do të thoja se është e udhës të mos e politizonim pandeminë, por të jemi të gjithë në mbështetje të stafeve mjekësore dhe popullatës, për evitimin e pasojave të saj. Bashkia Gjirokastër ka plotësuar të gjitha masat e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Është kryer dezinfektimi i vazhdueshëm i godinave dhe mjediseve publike. Aktivitetet e organizuara janë zhvilluar duke respektuar masat anti-Covid. Në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera në vëmendjen tonë ka qenë situata në shkolla, ku respektimi i masave parandaluese ka dhënë rezultat.
-Si po ecën organizimi i zgjedhjeve dhe përse qytetarët e Gjirokastrës duhet t’i besojnë votën sërish PS për një mandat të tretë?
Strukturat politike dhe organizative në Gjirokastër janë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët. Me praninë edhe të drejtuesit politik për Qarkun, Bledi Çuçi si edhe deputeteve Mirela Kumbaro dhe Artemis Malo kemi zhvilluar bashkëbisedime me banorët në grupe të vogla duke respektuar edhe masat anti-Covid. Në këtë kuadër kemi përdorur edhe komunikimin digjital. Takime të tilla me banorët në qytet dhe fshatra kanë shërbyer edhe për llogaridhënien e punës së bërë nga Bashkia Gjirokastër si dhe për tërheqjen e mendimit të banorëve. Kudo ku kemi shkuar kemi gjetur mbështetjen e madhe dhe të sigurtë të banorëve për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit. Në Gjirokastër, PS synon fitoren e tre deputetëve çka është një objektiv krejtësisht i arritshëm. Banorët e Gjirokastrës do të votojnë Partinë Socialiste si e vetmja forcë progresive për zhvillimin e vendit dhe vazhdimësinë e projekteve madhore të nisura në Gjirokastër dhe kudo në Shqipëri.
Intervistoi: Rigels Seliman









































