Ditën e sotme (18 janar) Kuvendi i Shqipërisë ka filluar sesionin e ri parlamentar, që është edhe i fundit i kësaj legjislature.
Në fjalën e tij hyrëse të seancës së sotme, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se ky Kuvend ka punuar në situatë të vështirë, duke iu referuar edhe braktisjes që i bëri opozita Kuvendit.
“Qëllimi ynë ka qenë për të ndërtuar një Shqipëri të fortë ekonomikisht, politikisht, një partnere më të denjë të aleatëve tanë të mëdhenj, BE dhe SHBA. Këto premtime dhe objektiva në fillim të legjislaturës janë realizuar. Vendi po përballet me dy ngjarje të mëdha si tërmeti dhe pandemia. Gjatë sesionit të kaluar realizuam 3 objektiva madhore, Gjykata Kushtetuese, reforma zgjedhore dhe marrjen e vendimit nga Këshilli Evropian për cce3ljen e negociatave.
Deklarova në fillim të sesionit se me hir apo me pahir deklarova se GJK do të ndërtohej. Dhe ja ku jemi sot Gjykata Kushtetuese është funksionale dhe e aftë për vendimmarrje.
Në emër të Kuvendit, i bëj thirrja të gjitha institucioneve të përfshira për plotësimin e Gjykatës së Lartë që të përshpejtojnë ritmet.
Të nderuar kolegë arritjet e kësaj legjislature dhe sesionit që kaloi marrin një vlerë të madhe duke pasur parasysh rrethanat e vështira. Përshëndes opozitën parlamentare për shërbimin që i bëri vendit. Kuvendi pranoi opozitën jashtë parlamentare që jo të sillej rrugëve për të kontribuonte për institucionet”, tha ndër të tjera Ruçi.
Kuvendin e presin disa sifda këto muaj të fundit. Qeveria ka dërguar në Kuvend aktin normativ me tekstin e marrëveshjes sekrete me kompaninë Pfizer Export BV për blerjen e një sasie të vaksinës kundër COVID-19. Me kërkesë të kompanisë, marrëveshja do të mbahet e fshehtë, duke përfshirë të gjitha elementet si çmimi, sasia, afatet e dorëzimit, transporti, hyrja në Shqipëri, administrimi etj.
Gjithashtu, të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur aktit normativ. Kuvendi ka njoftuar më herët se pritet të miratojë vaksinën Pfizer në seancën parlamentare më datë 28 janar.
Gjatë këtij sesioni parlamentar, Kuvendi pritet të shqyrtojë e të miratojë një sërë projektligjesh. Mes 50 nismave ligjore që do të shqyrtohen para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, disa prej tyre pritet të prodhojnë polemika dhe debate, për shkak të përmbajtjes së tyre.









































