Google search engine
Home Politike Drejtesi “Paratë për pronat i kam nga gruaja, ka 25 vjet notere”/KPK: Prokurori...

“Paratë për pronat i kam nga gruaja, ka 25 vjet notere”/KPK: Prokurori i Apelit të Vlorës pushtoi tokën dhe ndërtoi vilën në zonën e Ujit të Ftohtë

0
310

Prokurori i Apelit të Vlorës, Enrik Haxhiraj u përball të enjten më 14 janar me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për kriterin e pasurisë, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan mungesa financiare në vlera të mëdha,  kundravajtje penale pushtim toke dhe mosdeklarim burimesh.

Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për prokurorin Haxhiraj kryesohet nga Genta Tafa Bungo, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Enrik Haxhiraj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989 si prokuror në Prokurorinë e Vlorës. Në vitin 1992 është emëruar si zv/drejtues po në atë prokurori dhe për periudhën 1995-1998 ka mbajtur pozicicionin e drejtuesit. Nga viti 1998 e në vazhdim ai ka punuar për më shumë se dy dekada si prokuror në Prokurorinë e Apelit të Vlorë.

Gjatë seancës dëgjimore që zgjati 4 orë, relatorja e çështjes, Pamela Qirko evidentoi pamundësi financiare në vlera të mëdha për një vilë me 4 kate në zonën e “Ujit të ftohtë” në Vlorë, si dhe “pushtim të tokës” ku gjendet objekti.

Qirko shpjegoi se prokurori Haxhiraj nuk ka pasqyruar në deklaratën veting burimin e krijimit të ndërtesës me një kat nëntokë, një kat përdhe dhe dy kate banimi sipër, me sipërfaqe totale 184 m2.

Nga hetimi ka rezultuar se kjo banesë është legalizuar në vitin 2011. Investimi i deklaruar është 18 milionë lekë ndërkohë që vetëm vlera e parcelës ndërtimore ka rezultuar 3.4 milionë lekë.

Prokurori ka pretenduar se burimi kryesor për krijimin e kësaj pasurie kanë qenë depozitat në emër të tij dhe të bashkëshortes. Relatorja Qirko tha se nga analiza financiare, ka rezultuar se nga kursimet në depozitat bankare është përdorur vetëm vlera 1.6 milionë lekë.

Në analizën financiare për periudhën 95-2002 janë përfshirë investimet për vilën 4 kate, blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 38.7m2 në vitin 2000 në Vlorë kundrejt vlerës 1 milion lekë, blerjen e një makine dhe shpenzimet jetike. Komisioni konkludon se për këtë periudhë familja e prokurorit Haxhiraj ka rezultuar me balancë negative në shumën 10.5 milionë lekë.

Komisioni ngre dyshime se një kredi në vlerën 40 mijë euro e deklaruar si burim krijimi për shtëpinë 4 kate ndërtimi, është përdorur për destinacion tjetër. Nga hetimi ka rezultuar se kredia është marrë për blerjen e një dyqani.

Prokurori e ka quajtur si lapsus të punonjëses së bankës shënimin e qëllimit të përdorjes së kredisë për blerje dyqani dhe se ai dhe bashkëshortja e tij kishin qenë të pakujdeshëm kur kishin firmosur.

Haxhiraj këmbënguli se qëllimi i vetëm i marrjes së kredisë kishte qenë për kryerjen e investimeve në shtëpinë në “Ujin e ftohtë”.

“Nuk kishim interes të blinim njësi se bashkëshortja e ushtronte aktivitetin në njësinë e privatizuar nga mamaja”, tha ai.

Balanca negative janë konstatuar edhe për dy pagesa të kryera në vitin 2010 pranë ALUIZN-it për regjistrimin e pasurisë, kur ka rezultuar pamundësi financiare në shumën -1.7 milionë lekë.

Në përmbyllje të analizimit të kësaj pasurie, relatorja Qirko tha se prokurori Enrik Haxhiraj kishte kryer kundravajtje penale në zënien e truallit. “Zënia e truallit binte ndesh me legjislazionin në fuqi dhe përbënte kundravajtje penale ‘pushtim toke’”, tha ajo.

Prokurori Enrik Haxhiraj kundërshtoi gjetjet e Komisionit duke dhënë detaje të hollësishme për pretendimet dhe përllogaritjet e tij.

“Problemet e analizës financiare të Komisionit i kam gjetur tek metodika e ekspertëve të KPK”, tha Haxhiraj. Ai theksoi se edhe vetë KPK konstaton se nuk ka qenë e lehtë të përllogariteshin fitimet e siguruara nga bashkëshortja prej aktivitetit të saj 25-vjeçar si notere.

Haxhiraj i kundërshtoi edhe konstatimet e KPK për pushtim toke. “Nuk kam pushtuar apo zaptuar tokë”, tha Haxhiraj dhe shpjegoi se parcela ku ai kishte ndërtuar shtëpinë gjendet brenda një sipërfaqe toke të përfituar nga shtetasi Dh.S. dhe se ky i fundit e kishte përfituar nëpërmjet ligjit 7501, si punonjës i ndërmarrjes bujqësore.

Subjekti pretendoi se marrëveshja kishte qenë verbale dhe se ishte rënë dakord që kontrata e shit-blerjes për parcelën ku ai kishte ndërtuar shtëpinë, do të nënshkruhej sapo Dh.S. të siguronte certifikatën e pronësisë. Sipas Haxhirajt kjo kishte qenë e pamundur për shkak të vonesave nga institucionet shtetërore dhe për shkak se Dh.S. dhe bashkëshortja e tij vuanin nga sëmundje e rëndë dhe nuk kishin mundur të vepronin.

Relatorja Qirko e pyeti Haxhirajn nëse kishte paguar ndonjë vlerë për truallin që pretendonte se i kishte dhënë Dh.S.. Ai tha se nuk kishte kryer asnjë pagesë.

Probleme janë gjetur edhe në blerjen e një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 100 m2 kundrejt vlerës 110 mijë euro, të porositur në vitin 2009 nga shoqëria shitëse, në një shoqëri tjetër ndërtimi.

Qirko tha se Haxhiraj nuk ka pasqyruar në deklaratën veting burimin e krijimit të kësaj pasurie dhe se ka përfituar trajtim preferencial nga firma shitëse. Sipas KPK, firma shitëse e ka blerë me të njëjtin çmim që i’a ka shitur subjektit 9 muaj më vonë.

Prokurori Haxhiraj deklaroi në seancë se pronarët e firmës shitëse i njihte prej kohësh dhe kishte miqësi. Sipas tij, administratorët e firmës në fjalë i kryenin shërbimet noteriale pranë zyrës së bashkëshortes së tij. Ai shpjegoi se djali do të niste studimet e larta dhe në këtë periudhë kishte konsideruar të nevojshme të blinte një apartament në Tiranë.

Prokurori Haxhiraj i kundërshtoi të gjitha gjetjet e KPK dhe balancat negative të konstatuara nga analiza financiare. Në fund ai kërkoi riçeljen e hetimit për kriterin e pasurisë dhe hapjen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin,

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 19 janar, ora 09:45.

—-

Me shkurtime nga BIRN Albania

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here