Reja i shqetësuar, disa titullarë të Kombëtares pa minutazh të mjaftueshëm

0
231

Trajneri Edi Reja duket i shqetësuar në këtë periudhë, pasi lojtarët e përfaqësueses kuqezi nuk po fitojnë minutazhin e mjaftueshëm me skuadrat e tyre dhe këtu është fjala për disa prej lojtarëve kryesorë. Në fakt, kontigjenti i Kombëtares është shumë i madh dhe ka plot të rinj që po rriten, por bërthama e grupit mbetet po ajo që luajti në Ligën e Kombeve dhe është fakt që disa prej këtyre titullarëve kanë probleme me skuadrat e tyre dhe nuk po aktivizohen rregullisht. Me përjashtim të portierit Etrit Berisha dhe mbrojtësit Berat Gjimshiti, të cilët jo vetëm luajnë titullarë, por janë liderë në skuadrat e tyre, të tjerët kanë një minutazh të cunguar, aq sa një pjesë “ngrohin” stolin dhe janë larg pritshmërive dhe objektivave të tyre. Mbrojtësit Hysaj, Ismajli e Veseli kanë humbur terren dhe janë larg objektivit të tyre për minutazh të plotë. Madje minutazhi i tyre i dobët mund të kushtëzojë trajnerin Edi reja në vendimmarrjet e tij e madje në modulin taktik të lojës së ekipit. Në mesfushë Keidi Bare vetëm tani ka nisur të luajë, pasi më parë e kishte minutazhin “zero” tek Espanjoli. Edhe mesfushori tjetër kreativ, Klasu Gjasula, nuk është se ka bërë çudira tek Hamburgu. Në sulm, Armando Sadiku ende nuk e ka bërë sefte tek ekipi i tij Erzerumspori në Turqi dhe ndodhet larg pritshmërive. Madje Sadiku mund të mos marrë fare ftesë nga Reja për ndeshjet eliminatore të Botërorit Katar-2022. Bekim Balaj ka luajtur me hope, po ashtu dhe sulmuesi tjetër shtatlartë Sokol Cikalleshi, por këta të dy, për shkak të cilësive të tyre dhe “firmosjes” në minutazh, duket se kanë ende vend në listën e Rejës. Problemi tjetër duket të jetë portieri Tomas Strakosha, i cili këtë edicion ka hasur në vështirësi dhe vendin e titullarit tek lacio ia ka marrë një veteran si Pepe Reina. Edhe Strakosha është i nervozuar dhe mund të largohet në fund të sezonit, por mospasja e minutazhit mund ta penalizojë në Kombëtare sidomos në konkurrencën me Berishën i cili është më aktiv me skuadrën e tij Spal.

Hysaj gjithnjë e më larg Napolit

Një nga lojtarët kryesorë të Kombëtares, kapiteni i saj, Elseid Hysaj, po përjeton një periudhë aspak të mirë tek Napoli, ku ka luajtur pak ndeshje si titullar dhe pavarësisht se është më mirë nga dy vitet që shkuan, sërish ka probleme dhe këtë herë duket se ka vendosur të gjejë skuadër tjetër, madje jashtë Italisë. Sikurse shkruajnë mediat sportive italiane, Elseid Hysaj është më larg se afër rinovimit me Napolin. Të paktën kështu e paraqet situatën prestigjiozja franceze “L’Equipe” e cila beson se në verë kapiteni i kombëtares do të jetë një futbollist i ri i Marsejës. Shkodrani është i hapur për të provuar një eksperiencë të re jashtë Italisë, duke qenë se aty ka kaluar të gjithë karrierën deri tani. Kujtojmë se mbrojtësi ka hyrë në gjashtë muajt e fundit të kontratës me Napolin dhe është i lirë tashmë të negociojë të ardhmen e tij me klube të tjera. Ky sezon ka qenë me ulje e ngritje për Hysajn, ku ka ndikuar edhe COVID. Megjithatë, trajneri Xhenaro Gatuzo ka konsideratë për të, edhe pse në këtë rast klubi nuk ka bërë maksimumin për ta kënaqur shqiptarin dhe kështu ekipi i Marsejës është një opsion real për Hysajn. Në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Hysaj ishte një zhgënjim i madh. M gishtat e dorë numërohen momentet e tij pozitive në këtë aktivitet, ndërsa dalja me karton të kuq në takimin ndaj Lituanisë dhe disa probleme të tjera, sidomos në mbrojtje, bënë që Hysaj të marrë jo pak kritika për lojën e tij në Kombëtare. Shumë analistë shkruan se mbrojtësi shkodran, njëherësh kapiten i ekipit kuqezi, jep shumë më pak në skuadrën përfaqësuese krahasuar me ndeshjet që zhvillon tek Napoli. Ndryshe nga veteranët që kanë probleme me minutazhin, një lajm i mirë për trajnerin Edi Reja mund të jetë fakti se lojtarët e rinj si Uzuni, Kumbulla, e ndonjë tjetër janë në formë të mirë dhe luajnë me skuadrat e tyre, duke qenë një sinjal pozitiv për vazhdimësinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here