Ditën e sotme Partia Demokratike e Shqipërisë, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Social Demokrate kanë depozituar pranë KQZ-së propozimet për anëtarë dhe sekretarë të KZAZ-ve.
Partia Socialiste ka depozituar pranë KQZ-së dy anëtarë në çdo KZAZ, anëtarin e shtatë në KZAZ-të e renditura me numër çift dhe sekretarin e KZAZ-së, në KZAZ-të e renditura me numër tek.
Nga ana tjetër Partia Demokratike ka propozuar:
– dy anëtarë në çdo KZAZ;
– anëtarin e shtatë në KZAZ-të e renditura me numër tek;
– sekretarin e KZAZ-së, në KZAZ-të e renditura me numër çift.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka propozuar një anëtar në çdo KZAZ kurse Partia Social Demokrate do të propozojë një anëtar në çdo KZAZ.
Në shkallë vendi, 30% e anëtarëve të KZAZ-ve të propozuar nga Partia Socialiste dhe 30 % e anëtarëve të KZAZ-ve të propozuar nga Partia Demokratike, duhet të jenë nga secila gjini.
Administrata e KQZ-së do të shqyrtojë propozimet dhe dokumentacionin përkatës të propozimeve të partive. ?
Afati për dorëzimin e propozimeve dhe dokumentacionit përkatës ishte dita e sotme, data 11 janar 2021. Më datë 8 janar kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi u dërgoi një letër 4 partive politike në vend, që t’i dorëzonin në kohë propozimet e tyre.








































