Një prej grabitësve të armatosur që është përleshur në orët e para të mëngjesit të sotëm me një kambist në Korçë, është arrestuar në kushtet e flagrancës nga Policia.
Mësohet se kanë qenë dy grabitës të armatosur që kanë shkuar për të vjedhur në një shtëpi në lagjen nr.1 të qytetit, por aty janë ndjerë nga pronari i shtëpisë, që është kambist në Korçë, dhe familjarët e tjerë të tij.
Ata janë përleshur me njëri-tjetrin dhe si pasojë një prej tyre ka mbetur i plagosur, bashkë me pronarin e shtëpisë. Familjarët e kambistit janë shprehur se të gjithë janë përleshur me grabitësit, të cilët dyshohet se kanë arritur të marrin një sasi të caktuar parash.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe dy të plagosurit janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital, një prej tyre që është dhe grabitësi, është arrestuar në kushtet e flagrancës, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër.
Nga pamjet e publikuara shihen njollat e gjakut në derën e shtëpisë së kambistit, gjendja shëndetësore e të cilit nuk dihet ende. Sipas familjarëve, është hera e katërt që ata tentohet të grabiten.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Korçë/Informacion paraprak
Më datë 11.01.2021, rreth orës 06:10, në lagjen nr. 1, në rrugën e “Bilbilave”, Korçë, tre persona dyshohet se nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur me dhunë shtetasit Sh. M., me profesion kambist, një sasi lekësh para banesës së tij.
Reagimi i menjëhershëm i Policisë, bëri të mundur ndalimin e njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, i cili ndodhet aktualisht për ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, pasi ka marrë lëndime gjatë përplasjes fizike me kambistin dhe forcat e policisë, ku ka tentuar të shmangë kapjen nga ana e tyre.
Ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë, të cilët kanë mundur të largohen me shpejtësi nga vendngjarja me një automjet.
Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli, po bëhet krehja e zonës si edhe po kryhen veprime të tjera hetimore, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes

