Vetingu nis me ritme të shpejta/KPK rrëzon DSIK për gjyqtaren Igerta Hysi, ja gjetjet e komisionerëve për Elbana Llurin

0
669

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka nisur vitin 2021 me seanca të shumta dëgjimore. Gjatë kësaj jave kanë dalë para komisionerëve 4 gjyqtarë e prokurorë, ndërsa në ditët në vijim do të ketë seanca dëgjimore me 4 të tjerë. Dje dolën para KPK gjyqtarja e Fierit Igerta Hysi dhe gjyqtarja e Apelit Tiranë, Elbana Lluri. Të dyja seancat u shoqëruan me diskutime, pasi komisionerët kanë ngritur pikëpyetje në shumë çështje. Ndërsa gjyqtarët nga ana e tyre kanë dhënë argumentet përkatëse.

Seanca ndaj gjyqtares Hysi

Procesi i vetingut për Igerta Hysin, kandidate për gjyqtare Apeli, u krye për të tre kriteret e rivlerësimit nga trupa e drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa Bungon. I pranishëm në seancë ishte edhe vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi një raport negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK duke e konsideruar atë të pabazuar. Relatorja Suela Zhegu tha se nga verifikimi i çështjeve të ngritura nga DSIK, nuk kishte rezultuar asnjë shkelje ligjore apo veprim i gjyqtares Hysi që të cenonte pastërtinë e figurës së saj. Sipas “Birn”, në kriterin e pasurisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit verifikoi blerjen e një apartamenti në vitin 2010 kundrejt vlerës 44 mijë e 500 euro, një depozitë bankare në emër të bashkëshortit, blerjen e një automjeti si dhe rolin si dorëzanës të gjyqtares Igerta Hysi dhe bashkëshortit të saj në një kredi bankare prej 14 milionë lekësh të marrë nga prindërit dhe vëllai. Lidhur me apartamentin, Zhegu tha se subjekti kishte shpjeguar se likuidimi i vlerës së çmimit është kryer në momentin e nënshkrimit të kontratës së porositjes në vitin 2010, para martesës dhe para se të niste punë si gjyqtare. Komisioni evidentoi mospërputhje në vlerën e çmimit të deklaruar me atë të pasqyruar në kontratën e shitjes së vitit 2013, ku ka rezultuar në shumën 45 mijë e 500 euro. Hysi ka sqaruar se kjo mospërputhje ka ardhur si pasojë e një gabimi të noterit, që është korrigjuar po në vitin 2013. Zhegu tha se gjyqtarja Hysi ka kryer deklarim të saktë dhe se ka shpjeguar saktë mospërputhjet. Nga analiza financiare ka rezultuar se babai dhe vëllai kanë pasur pamundësi të kursenin gjithë vlerën e paguar për blerjen e këtij apartamenti në vitin 2010. Zhegu tha se është konstatuar balancë negative në vlerën 6970 euro.

Seanca ndaj gjyqtares Lluri

Procesi i vetingut për gjyqtaren Lluri po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Roland Ilia anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma. Për një apartament me sipërfaqe 125 m2 në Tiranë, të blerë në vitin 2012 nga motra e saj për vlerën 6.5 milionë lekë, gjyqtarja Lluri ka deklaruar si burime krijimi një kredi të butë të përfituar nga ish-bashkëshorti në shumën 5 milionë lekë si dhe kursime të tij në vlerën 1.5 milionë lekë. Gjyqtarja Lluri ka shpjeguar në deklaratën e vitit 2012 se pjesa e saj takuese i është dhuruar nga motra dhe se kjo ishte arsyeja përse çmimi ishte i ulët. Relatorja Pine tha se Lluri ka deklaruar se motra dhe bashkëshorti i saj kanë pasur burime të mjaftueshme për blerjen e apartamentit, gjysma e të cilit i është dhuruar subjektit. Gjyqtarja kishte shpjeguar gjithashtu se motra dhe kunati kishin pasur marrëdhënie qiradhënie me një institucion ndërkombëtar në vitet 1994-2001, prej nga kishin përfituar të ardhura të konsiderueshme. Gjithashtu ka dorëzuar edhe dokumentacion për të provuar deklarimet e saj.

Sipas “Birn”, Pine tha se është vërtetuar se është paguar edhe tatimi për qiranë dhe se ka rezultuar që dhuruesit të kenë pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për blerjen e apartamentit në fjalë. Nga verifikimi i burimeve të ish-bashkëshortit të Llurit, gjyqtarit Gerd Hoxha, Komisioni ka konstatuar se ai ka pasur mundësi të kursente shumën 1.5 milionë lekë. Ndërkohë, ka rezultuar se vlerën 5 milionë lekë të përfituar nga kredia e butë e ka depozituar po atë ditë që e ka tërhequr, në llogarinë e shitësve të apartamentit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here