Një gjuajtje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Pejë, ku për pasojë janë plagosur tre persona.
Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ai ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 21:00 afër Stacionit të Autobusëve.
“Policia rreth orës 21:00 është njoftuar se në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Pejë ka të shtëna me armë zjarri. Me të arritur ka kuptuar se tre persona janë të lënduar me armë zjarri. Menjëherë janë dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, teksa dy prej tyre janë dërguar në QKUK në Prishtinë”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka konfirmuar se njësitë relevante janë në vendin e ngjarjes dhe janë në përpjekje për identifikimin e të dyshuarve.