Këtë të mërkurë do të luhen ndeshjet e xhiros së 12-të të Kategorisë Superiore, që shënojnë edhe takimet e fundit të futbollit për këtë vit kalendarik, ndërsa gara sipas formatit do të vijojë më pas në janar. Për momentin Vllaznia e Shkodrës është në krye të kampionatit, 6 pikë më shumë se Partizani i vendit të dytë, por në këtë fundviti ka një lajm të mirë, pasi pikërisht sot, do të luhet “Klasikja” e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia, një ndeshje që do të thotë shumë për vazhdimësinë e të dy ekipeve. Të dy trajnerët, si Thomas Bërdariç i Vllaznisë, ashtu dhe Nevil Dede i Tiranës, janë shprehur entuziastë për fitore, pra kërkojnë maksimumin. Dede theksoi dje nga konferenca e shtypit se bardheblutë do të luajnë për të fituar takimin ndaj shkodranëve, ndonëse pranoi se kundërshtarët po kalojnë një moment të mirë dhe kryesojnë me meritë. “Jemi përballë ekipit që po kryeson renditjen sot dhe ka bërë një futboll të mirë deri tani. Do jetë një përballje e bukur, ata janë një kundërshtar i fortë që nuk janë thyer deri sot, deri sa nuk u thyen edhe me Tiranën i japin të drejtë vetes për të qenë pretendentë për titull. Të shohim çdo të ndodhë nesër, nëse ata realisht do mbrohen apo do luajnë futbollin e tyre. Tirana futet në çdo ndeshje për të fituar dhe këtë nuk e mohojmë dot. Kemi tentuar ta bëjmë këtë në çdo ndeshje, kemi pasur shansin tonë, në pak momente jemi vënë në vështirësi nga kundërshtarët. Kemi patur vetëm një humbje herën e parë dhe pas asaj Tirana nuk ka pasur me mungesë ekuilibri si skuadër. Po luajmë me një ekip të një qyteti që ka të njëjtin mentalitet. Ata thonë “me kenë shkodran të tana i ban”. Kështu e kanë ata shprehjen. Do mundohemi t’i presim me shprehjen e tyre. Meqë jemi Tirana do mundohemi me çdo mënyrë ta fitojmë ndeshjen, brenda kuadrit sportiv”, theksoi Dede. Më pas ai komentoi situatën në ekipin e tij, duke shtuar se skuadra i di limitet e veta, por edhe forcën e kundërshtarëve. “Ne nuk luajmë futboll aventurë, për këtë të jeni të bindur, skuadra e ka pranuar faktin dhe është e zgjuar dhe e vetëdijshme që në këtë kampionat ka shumë pak diferenca dhe të gjithë duhet të jemi të ekuilibruar. Që duhet të shënojmë më shumë, kjo është ajo diferenca dhe mund të kemi të drejtën të themi që kemi patur shumë barazime dhe kemi shënuar pak. Tirana nuk duhet të bëjë asgjë ndryshe, vetëm të jetë më pragmatiste përballë portës dhe të konkretizojmë e shfrytëzojmë ato raste që kemi”, shtoi Dede.
Bërdariç: Vllaznia nuk ndalet, duam trepikëshin e radhës
Në prag të ndeshjes Tirana-Vllaznia, trajneri i kuqebluve shkodranë, Thomas Brdariç, theksoi se Vllaznia do të vazhdojë të ndjekë rrugën e saj. Në kuadër të këtij takimi, ai konfirmoi gjithashtu mungesë e Da Silvës. Deri tani kemi luajtur në maksimumin tonë, kemi dhënë gjithë fuqinë dhe forcën tonë dhe besoj se nesër do të bëjmë të njëjtën gjë dhe do të jetë i njëjti rezultat. “Do të luajmë maksimumin e fuqive tonë, njësoj siç bëmë me Skënderbeun në ndeshjen e fundit, ku fituam 5-1. Korçarët janë ekip i mirë, por rezultati ishte i tillë. Kemi edhe 24 orë kohë në përgatitjen e ndeshjes me Tiranën. Nuk kam asnjë mesazh për trajnerin Dede, secili ka idenë e vet. Është një ndeshje historike e rëndësishme dhe të gjithë duan të fitojnë, ndaj nuk kam asgjë specifike për t’i thënë trajnerit. Ngarkesa ka bërë të vetën. Da Silva nuk do të jetë, sepse ka një dëmtim. Pjesa tjetër do të jetë e njëjtë. Për secilin lojtar që mungon ndjejmë keqardhje. E përshëndes Dungën, ai është i rëndësishëm”, theksoi ndër të tjera Bërdariç. Më tej ai komentoi lëvizjet e mundshme në merkato si dhe dëshirën për vitin e ri. “Ka disa deklarime, Lekaj është larguar në Kosovë. Isufaj nuk e di se ku do shkojë. Jemi përqendruar vetëm te dueli me Tiranën dhe më pas të ulemi të bëjmë bilancin. “Të vijojmë të njëjtën rrugë që kemi nisur. Shëndeti i lojtarëve dhe i të gjithëve që merren me këtë punë ka rëndësi. Këtë punë duhet të vijojmë. Falënderoj të gjithë, mediat, Xhaferin, Voltanën, Suadin dhe gjithë ndihmësit e mi”, nënvizoi më tej ai.