Lionel Mesi ka krijuar një përplasje me drejtuesit e Barcelonës pas letrës së drejtuar për largim, duke qenë se nuk e shihte më veten në radhët e klubit blaugrana pas situatës së krijuar si pasojë e disfatës së klubit në sezonin e kaluar në çdo kompeticion. Sidoqoftë, Barça arriti të shmangë katastrofën duke gjetur shpëtim tek klauzola e klubit, e cila kërkonte 700 mln euro për largimin e lojtarit para se të mbyllej kontrata. Dhe kontrata e Mesit me Barcelonën skadon në fund të sezonit aktual, pra në qershor të vitit 2021 dhe deri atëherë “Pleshti” do të duhet të rrijë urtë në kampin blaugrana, për të pritur i qetë verën, ku do të bëhet edhe transferimi i tij në një klub tjetër e me gjasë njëri prej dy klubeve të sheikëve, ose Mançester Siti në Premier League angleze, ose Paris San Zhermen në Ligue 1 të Francës. Sezonin e shkuar Mesi ishte një nga golashënuesit më të mirë në Europë, i pari në Spanjë, por kjo nuk mjaftoi që ai të fitojë çmimin “rthe Best”, pasi i mungonin trofetë me Barcelonën. Natyrisht, në garë për këtë çmim ishte dhe rivali i tij i përhershëm, Kristiano Ronaldo, portugezi i Juventusit, po as ai nuk fitoi. Çmimin e fitoi polaku Robert Levandovski, i cili fitoi gjithçka sezonin e shkuar me Bajernin e Mynihut, duke eklipsuar dy yjet Mesi e Ronaldo. Theksojmë se çmimin “FIFA The Best” e fitoi Robert Levandovski me 53 pikë, në vendin e dytë u rendit Kristiano Ronaldo me 38 pikë dhe podiumin e plotësoi Leo Mesi me 35 pikë, me polakun që e meritoi plotësisht çmimin e më të mirit. Menjëherë pas shpalljes së Levandovskit fitues, janë zbuluar edhe votat e protagonistëve, pikërisht ato të trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve kombëtare si dhe gazetarëve të përzgjedhur. Bujën e madhe e bën pikërisht votimi i trajnerit të kombëtares së Argjentinës. Askush nuk e priste, por Skaloni nuk e ka votuar kapitenit e ekipit të tij, Leo Mesin, si lojtari i vitit. Në këtë renditje ai ka vlerësuar Sadio Mane me 5 pikë dhe Leo Mesin e ka renditur të dytin me 3 pikë, teksa Nejmar është vlerësuar me 1 pikë. Një zgjedhje e çuditshme dhe e papritur e trajnerit, që me këtë veprim me siguri ka ndezur zjarrin te Argjentina, me Mesin, që nuk pritet ta marrë aspak me sportivitet këtë zgjedhje, me idenë që vjen nga trajneri i ekipit të tij kombëtar. Ndoshta tashmë do të nisë një luftë e hapur mes Skalonit dhe yllit të Barçës. Kushdo që e ka bërë më parë diçka të tillë ka përfunduar në rrugë. Kjo ka ndodhur tek Barcelona dhe tek kombëtarja e Argjentinës. Me përfaqësuesen e vendit të tij Mesi nuk ka fituar ndonjë gjë të rëndësishme përpos se ka marrë një medalje Olimpike me U-21 të Argjentinës në lojërat olimpike të Pekinit, si dhe ka arritur në finalen e Botërorit të vitit 2014, ku Argjentina e tij u mund nga Gjermania në finalen e madhe me një gol në kohën shtesë nga Mario Gëtce. E vërteta është se Mesit ka fituar shumë në karrierë, më shumë se kushdo tjetër, por atij i mungon një trofe madhor si Kupa e Botës, trofe që do ta tentojë ndoshta për herë të fundit në karrierë në Katar-2022.









































