Sali Berisha sulm frontal ndaj ndërkombëtarëve/ Akuza Calaverës se ndërhyri në Venecia, flet për para të zeza te vetingu

0
435

Ish-kryeministri Sali Berisha ka ashpërsuar luftën me ndërkombëtarët. Marrëdhëniet e tij me SHBA e BE nuk janë aspak të mira. Sulmet e tij ndaj ambasadorëve kanë qenë të shpeshta, ndërsa dje target është bërë shefja për Ballkanin Perëndimor në BE dhe kryetarja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Berisha, duke iu referuar një artikulli të “New Europe”, ka akuzuar Genovefa Calaverën se ka ndërhyrë në Venecia për ndryshimet zgjedhore. “Zbulohet segment tjetër i rrjetit të strukturuar mafioz Tiranë-Bruksel. Pas ndrikull Romana Vllahutin, e cila blinte me katërfishin e çmimit për metër katror rezidencën e delegacionit të BE në Tiranë del dhe Ndrikull Calavera bashkëpunëtore e Edvin Drogës. Ajo, sipas mediave të mirinformuara të Brukselit, në një akt të pastër korruptiv për llogari dhe me kërkesë të Edvin Hajdutit dhe në kundërshtim flagrant me qëndrimet zyrtare publike të zyrtarëve më të lartë të Komisionit dhe Parlamentit Europian, ka shfrytëzuar postin dhe i ka telefonuar Komisionit të Venecias duke i kërkuar që të mos shqyrtojë kërkesën e Presidentit të Shqipërisë për ligjin zgjedhor”, tha Berisha. Nga ana tjetër ai ka sulmuar dhe procesin e vetingut. Sipas Berishës aty paguhen shumë para. “Ndërkohë që zyrtarët më të lartë të Komisionit Europian, Parlamentit Europian, por edhe të Bundestagut bënin thirrje publike Edvin Drogës që të mos votojë ndryshimet në Kodin Elektoral, por të presë mendimin e Komisionit të Venecias për këto ndryshime. Rikujtoj këtu se Calavera, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor gjithashtu drejton grupin ndërkombëtar të monitorimit të procesit të vetingut, proces për të cilin flitet se paguhen shuma marramendëse parash të zeza”, tha ai. Më tej Berisha i ka bërë thirrje Brukselit që të marrë masa ndaj Calaverës. “Miq, fjalët e ndrikull Calavera dhe jo ato të Komisionerit për Zgjerim as dhe kryetarit të AFET-it të Parlamentit Europian citohen ne fjalimet e Edvin Kristaq Drogës si direktiva apo kërkesa të Komisionit Europian për Shqipërinë. E përshëndes Komisionin e Venecias për refuzimin e kërkesës korruptive të Ndrikull Calaverës dhe rrjedhjen e kësaj kërkese në media. I bëj thirrje Komisionit Europian në përputhje me standardet e tij etike ta hetojë dhe largojë zonjën Calavera nga detyra që mban dhe të hetojë lidhjet e saj toksike për detyrën që mban me Edvin Drogën”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here