Më 18 dhjetor të vitit 1968, në Tiranë u zhvillua një prej ndeshjeve më të mëdha të basketbollit shqiptar, përplasja midis Partizanit të meshkujve dhe Oransodës së Italisë, në kuadër të Ligës së Kampioneve të basketbollit në atë kohë. Asnjë ndeshje tjetër e basketbollit para apo pas atij momenti nuk ka krijuar një emocion kaq të fortë dhe nuk ka gjetur atë shkëlqim sikurse shtatlartët e kuq të Partizanit atë mbrëmje të ftohtë dhjetori, ku shkëlqeu në veçanti i madhi Agim Fagu, me 48 pikë në atë përballje, duke marrë vëmendjen e shtypit sportiv perëndimor dhe duke u radhitur krahas emrave të mëdhenj të basketbollit europian në ato vite. Ndeshja midis Partizanit dhe Oransodës përfundoi në barazim 73-73, por në ndeshjen e kthimit të luajtur në Lombardi fituan italianët që kaluan më tej. Por jehona e ndeshjes së parë, ku Partizani barazoi me një skuadër shumë të fuqishme, me kampionë të shumtë në përbërje, midis të cilëve dy amerikanë, argjentinas etj, të gjithë në skuadrat e tyre kombëtare, ndryshoi për mirë edhe imazhin e sportit tonë, që diti të ngrihet në lartësinë e kërkuar. Kur kanë kaluar 52 vjet nga ajo ndeshje, që konsiderohet nga disa edhe si “ndeshja e shekullit” për basketbollin tonë në arenën ndërkombëtare, ende dhe sot ne nuk kemi një nivel të tillë përfaqësimi. Trajneri Astrit Greva, sipas analizave sportive në atë kohë dhe që i mëshojnë fort edhe vetë lojtarët protagonistë në ndeshje, e përgatiti si duhet skuadrën dhe u interesua edhe për detajet më të vogla, por ia doli të bëjë një ndeshje mbresëlënëse me skuadrën e kuqe.
Dekorimi i skuadrës së kuqe për 50-vjetorin e ndeshjes së shekullit
Partizani i basketbollit të vitit 1968 u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh” me rastin e 50 vjetorit, por edhe pas kësaj date, të shumtë janë ata që mendojnë se protagonistët e asaj ndeshjeje të madhe të meritojnë më shumë vlerësime. Trajneri Astrit Greva, në një intervistë dy vite më parë, shprehej: “Kjo ka qenë një prej atyre ndeshjeve që kanë lënë mbresa të mëdha tek sportdashësit dhe tek protagonistët, sepse ishte hera e parë që Partizani i atyre viteve mori pjesë në Kupën e Kampioneve të Evropës në basketboll, një nivel që sot është Champions League, pra niveli më i lartë i përfaqësimit të klubeve në Evropë. Është gjë e mirë të dekorohet skuadra që 50 vjet më parë shkroi një faqe të ndritur të basketbollit tonë. Ekipi ynë i atyre viteve ishte shumë i ri, plot me 20-vjeçarë. Partizani doli kampion këtu dhe na u dha e drejta që të marrim pjesë në Kupën e Kampioneve të Evropës. Shorti na rezervoi përballë skuadrën italiane të Oransodës. Interesimi për këtë ndeshje në takimin e datës 18 dhjetor 1968 ishte maksimal dhe dueli mori një vëmendje europiane. Në fakt, ne si skuadër e pritëm me kënaqësi pjesëmarrjen, megjithëse, Oransoda ishte skuadër pretendente për titull kampion në Europë dhe rivalizonte me rusët në atë kohë. Në fillim u stepëm, por më pas nisëm një përgatitje të fuqishme dymujore. Ministria e Mbrojtjes na përgatiti të gjitha kushtet, më të mirat që mund të bëheshin në atë kohë. Unë ju siguroj që në ato dy muaj ne nuk mendonim asgjë tjetër veçse për ndeshjen.
26 gazetarë të huaj, asnjë informacion për ekipin
“Mund të them që nuk kishim asnjë të dhënë për ta, e as ata nuk kishin asnjë të dhënë për ne, – thekson Greva. Pritej me interes të madh kjo ndeshje dhe këtë dozë interesi e shtuan gazetarët dhe fotoreporterët. Ishin 26 gazetarë të huaj që e ndoqën takimin, një rast i rrallë. Jo vetëm se Partizani ishte kampion i Shqipërisë dhe luanin ndaj një kundërshtari që nuk e njihnin, por për këta gazetarë të udhëtojë në Shqipërinë e asaj kohe ishte diçka e jashtëzakonshme. Ne ishim vend i mbyllur dhe shumë prej tyre, më shumë sesa ndeshja, kishin kureshtje për vendin në tërësi.











































