Google search engine
Home Politike Qeveria akordon fondin/ Policet marrin dietat e munguara prej 1 viti, plan...

Qeveria akordon fondin/ Policet marrin dietat e munguara prej 1 viti, plan edhe për bonus me rastin e festave të fundvitit

0
335

Qeveria ka vendosur që të japë dietat për të gjithë policët në vend. Që prej muajit janar të këtij viti, asnjë efektiv policie nuk kishte marrë dietat që u takojnë sipas ligjit, për orët shtesë, shërbimet jashtë qytetit ku banojnë dhe për operacione të ndryshme. Por ditën e djeshme, për pjesën dërrmuese të tyre kanë kaluar në bankë të gjitha paratë e dietave duke ndihmuar sadopak policët me rastin e festave të fundvitit. Vlera e këtyre detyrimeve arrin deri në 300 mijë lekë të reja për çdo efektiv. Ndërkohë gazeta ka mësuar se qeveria po mendon edhe shpërblim me rastin e festave të fundvitit. Pak ditë më parë u miratua një paketë mbështetëse për pensionistët ndërsa mësohet se po shqyrtohet si mundësi që të përfitojnë edhe policët, por nuk është një vendim final. Po shqyrtohet si mundësi duke parë dhe buxhetet e mbetura në këtë sektor. Megjithatë zyrtare është që dietat janë shpërndarë, ndërsa mbetet të shihet për shpërblimet në fundvit. Kohët e fundit nuk ka pasur bonuse për të gjithë policët, por vetëm për një kategori të caktuar, sidomos FNSH apo RENEA. Megjithatë mbetet të shihet se çfarë do të vendoset në ditët në vijim.

Përplasje për dietat

Sindikata e Policisë prej muajsh kishte ngritur shqetësimin se policët nuk merrnin dietat që ju takonin. Por vetëm tani pati reflektim nga ana e qeverisë. “E para, kjo është një kërkesë e vonuar e ministrit të Brendshëm. Dietat e punonjësve të policisë, është problemi numër një që ka ministri i Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm dhe njëkohësisht edhe qeveria. Të rrinë një vit pa pagesë, nga janari e deri tani pa u paguar dietat punonjësve të policisë, është një paradoks”, tha Sadedin Fishta pak kohë më parë. Kreu i Sindikatës së Policisë në një intervistë televizive deklaroi se në një vit elektoral si ai i 2021 puna e policisë do të shtohet dhe pagesat e kësteve të prapambetura janë nevojë emergjente. “Ajo është më elementarja që duhet të bëj sot qeveria. Jemi para një fakti që jemi në një pandemi që sa vjen dhe rritet. Punonjësit e policisë, krahas detyrave që kanë sot, do shtohen edhe detyrat që kanë në bazë të ligjit për zgjedhjet vitin që vjen. Kështu që sërish parashikohet të ketë mbingarkesë pune për punonjësit e policisë”, tha Fishta.

Dietat e ushqimit

Përmes një vendimi të vitit 2017 të qeverisë, punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit tashmë kanë të drejtën e përfitimit të ushqimit falas gjatë orarit të punës. Vendimi parashikon dhënien e 1-3 vakteve për punonjësit e policisë, por edhe për të arrestuarit. Referuar vendimit, trajtohen me ushqim, pa pagesë, strukturat e Policisë së Shtetit, si më poshtë: Punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, ato të Forcave Speciale e të Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe struktura të tjera që me akte normative njehsohen me to: me një vakt “drekë”, për ditët kur kohëzgjatja e punës është 8 orë; me tri vakte për ditët kur punonjësit janë të angazhuar në veprime operacionale apo gatishmëri, kur kohëzgjatja e punës është më shumë se koha normale e punës prej 8 orësh; me tri vakte për ditët kur punonjësit e policisë janë të angazhuar në gatishmëri, në shërbime për ruajtjen, sigurimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për përballimin e situatave emergjente dhe të fatkeqësive natyrore, të shkaktuara nga faktorë natyrorë, teknologjikë, industrialë, socialë ose veprime të shkaktuara nga njerëzit, kur kohëzgjatja e punës është mbi kohën normale të punës prej 8 orësh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here