Google search engine
Home Aktualitet Drama shqiptare “Gruaja në dritare”, mbrëmjen e së shtunës në programin e...

Drama shqiptare “Gruaja në dritare”, mbrëmjen e së shtunës në programin e Teatrit Kombëtar

0
901

Shfaqja teatrore “Gruaja në dritare” vjen mbrëmjen e së shtunës në programin artistik online të Teatrit Kombëtar. I kushtëzuar nga rrethanat e shkaktuara nga Covid-19, teatri në muajin dhjetor shfaq online vepra teatrore që janë realizuar më parë në skenë, por dhe aktivitete artistike online. Mbrëmjen e së shtunës do të jetë vepra teatrore shqiptare “Gruaja në dritare”, që mund të ndiqet në orën 18:00 livetream në Facebook. Vepra e autores Arta Arifi është me regji nga Rovena Lule Kuka, një nga regjisoret e brezit të mesëm, e cila është evidentuar me disa shfaqje mjaft të suksesshme vitet e fundit. Në stafin realizues janë dhe Berina Kokona, që është një nga skenografet dhe kostumografet e njohura shqiptare të viteve të fundit. Ndërsa muzika në vepër vjen nga kompozitori Haig Zacharian, një ikonat e gjalla të muzikës së filmit shqiptar. Një mosmarrëveshje familjare, ku etja për prona përçan marrëdhënien midis një vëllai dhe një motre. Natyra luftarake e dy femrave, ku secila prej tyre kërkon të drejtën e vet, pa dashje shkakton fatin tragjik të një familje, në këtë dramë të Arta Arifit. “Gruaja në dritare” e autores nga Kosova Arta Arifi është një vepër, e cila ka dalë nga edicioni i dytë i konkursit “Netët e leximit të dramës shqipe”. Institucioni shkruan se kjo vepër teatrore u vu në skenë për herë të parë më 2 maj të vitit 2015 dhe ka qenë ndër shfaqjet më të suksesshme të Teatrit Kombëtar atë sezon. Arta Arifi është diplomuar për bachelor dhe master në dramaturgji në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve. Ajo është autore e disa dramave të shkruara si “Dardha pas bunari”, “Kohë pa ngjarje”, “Gruaja në dritare”, “Kopshti me lule”, “Aritmia”, “Perlat e Marias”, “Pianisti dhe kukulla blu”, “Në kërkim të Zalas”. Drama “Gruaja në dritare” u zgjodh në “Eurodram 2016”, e përkthyer në gjuhën polake dhe e botuar në gazetën “Dialog” në Poloni.

Personazhet në vepër

Personazhet jetojnë në mënyrë të vështirë, sa për shkak të rrethit ku bëjnë pjesë, zakoneve dhe papunësisë, aq prej trupit që i përkasin, ndrydhjes së ndjenjave dhe lirisë së mendimit. Vepra e autores Arta Arifi ka mbledhur aktorët Karafil Shena, Yllka Mujo, Olta Daku, Dritan Boriçi, Neritan Liçaj dhe Gert Ferra. Regjisorja Lule, e cila dhe më herët në skenën e TK ka sjellë vepra që kanë sjellë diskutime mbi problematikën që trajtojnë për realitetin shqiptar, më herët është shprehur se nga problemet e shoqërisë shqiptare lindin konflikte, të cilat sjellin dramën. A po shkatërrohet një familje për shkak të natyrës luftarake të një gruaja të vetmuar që mbron tokat e vëllait të zhdukur, apo me dashjen e një vëllai tjetër koprac që për të fshehur të vërtetën bën çdo gjë, qoftë ai edhe lejimi i një krimi brenda familjes? Një grua ëndërrimtare, një burrë koprac dhe i papunë që “me dashje” shkakton vdekjen e paralajmëruar, një tjetër antagoniste e fuqishme që me ngulm ruan tokat e vëllait të zhdukur, një koleksionist kujtimesh, një nxitës dinak dhe një avokat gjerman, vijnë së bashku në rrethana të jashtëzakonshme, të cilët përmes kujtimeve, intrigave, gënjeshtrave, shkatërrojnë përfundimisht raportin perfekt të shtirjes që mban të fshehur sekretet e fëmijërisë dhe jetës së tyre. Mara, vjen nën interpretimin e aktores Olta Dakut në dramën “Gruaja në dritare”, dhe simbolizon një grua luftarake. Veprimet e saj simbolizojnë thyerje të rregullave dhe tregojnë për karakterin e Marës. Ajo kontrollon çdo gjë në lidhje me pronat që tentojnë t’i shesin vëllai, Gjini dhe nusja e tij, Diana pa dijeninë e saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here