Zbardhet marrëveshja mes Kryeprokurorit Olsian Çela dhe kreut të SPAK, Arben Kraja. Pak ditë më parë u bë e ditur se mes tyre është arritur një pakt, ndërsa gazeta ka siguruar dokumentin e plotë. Aty palët dakordësohen për shumë gjëra, ku më kryesorja është për ndryshimet ligjore. SPAK është mbytur me dosje korrupsioni të nivelit të ulët, duke krijuar vonesa me hetimet në nivele të larta. Për këtë arsye SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme do të dalin me një draft të përbashkët ku pritet të kërkohet që në fokus të jenë vetëm zyrtarët në nivel politik. “Prokuroria e Përgjithshme angazhohet: Të vendosë komunikime të drejtpërdrejta për shkëmbim informacioni lidhur me: a) dhënie opinioni për ndryshime ligjore në sistemin e drejtësisë penale dhe jo vetëm, për propozimet e ardhura për mendim nga ministritë dhe/ose institucionet përkatëse; b) të dhënat statistikore, si në kuadrin e analizave dhe studimeve të përbashkëta, ashtu dhe në kuadrin e informimeve/raportimeve në përmbushje të detyrimeve ndërinstitucionale me institucionet brenda vendit dhe/ose me institucionet ndërkombëtare, veçanërisht në fushën e integrimit në BE, në zbatim të rekomandimeve të KSA-së, planit të veprimit të ICRG/FATF-së apo angazhime të tjera në këto fusha. c) marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet gjyqësore të huaja për rastet me kompetencë lëndore në të ndryshuar nga njëra palë tek pala tjetër, në kuadrin e përfaqësimit të tyre nga prokurori i komanduar shqiptar pranë EUROJUST-it, në funksion të rritjes së efektivitetit”, thuhet në draft.
Angazhimi i SPAK
Nga ana tjetër sipas marrëveshjes, SPAK angazhohet të sigurojë bashkërendimin paraprak me prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, në fazat e procedimit penal për të rritur eficencën e veprimtarisë ndërinstitucionale dhe unifikimin e masave lidhur me: kalimin e akteve dhe/ose tërheqjen e akteve në fazën e hetimeve paraprake, sipas kompetencës lëndore të parashikuar në ligj duke garantuar procesin e rregullt ligjor, të drejtat e subjekteve të procedimit penal dhe shmangur zvarritjen e afateve procedurale. Tjetër angazhim do të jetë sigurimin e efektivitetit dhe vazhdimësisë së hetimeve proaktive në rastet kur gjatë hetimit dhe/ose ndjekjes penale evidentohet cilësi e posaçme e subjektit të veprës penale dhe/ose rrethana fakti e ligji që ndryshojnë cilësimin juridik të veprës penale, për rrjedhojë dhe kompetencën lëndore. Palët angazhohen në shkëmbimin e informacioneve dhe akteve procedurale në kuadrin e hetimeve pasurore për të rritur efektivitetin në hetimet e tyre sipas tipologjive për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve produkt të veprave penale ose veprimtarisë kriminale.
Hetimi pasuror
Një element shumë i rëndësishëm ku do të fokusohen palët është ai i bashkëpunimit në fushën e hetimit pasuror. Si kur ka procedime në krimin e organizuar ashtu dhe në rastet e korrupsionit, do të ketë hetime pasurore. Palët angazhohen në: shkëmbimin e informacioneve dhe akteve procedurale në kuadrin e hetimeve pasurore për të rritur efektivitetin në hetimet e tyre sipas tipologjive për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve produkt të veprave penale ose veprimtarisë kriminale; përfaqësimin e akuzës në Gjykatën e Lartë, kur ekspertiza apo asistenca profesionale është e nevojshme në funksion të cilësisë së përfaqësimit; funksionimin e strukturave përkatëse të secilës palë në fushën e marrëdhënieve juridiksionale me autoritetet gjyqësore të huaja në kuadrin e përfaqësimit nga prokurori i komanduar shqiptar pranë EUROJUST-it.