Seria e katërt e tragjikomedisë “Emira” u shfaq në vijim të programit të festivalit të veprës shqiptare të arkivit “Metrofest 4. Festivali vjen i realizuar brenda kushteve të pandemisë, ku teatri “Metropol” po prezanton nga distanca, atë që njihet deri më tani si drama e parë e shkruar në gjuhën shqipe “Emira” nga Antonio Santori, pjesa e parë e së cilës është botuar më 1883 nga Jeronim De Rada. Tragjikomedia “Emira” është një prej 3000 fletë dorëshkrimeve që Antonio Santori ka lënë trashëgimi, dhe është cilësuar nga studiuesit si drama e parë shqipe në prozë që njihet deri më tani. Sipas regjisores Sonila Kapidani pas një faze të gjatë leximesh dhe në rrethana të pandemisë që e kanë zhvendosur takimin me publikun nga distanca, edicioni i 4 i “Metrofest” realizoi dhe po përcjell në publik një përmbledhje në 5 seri të veprës. Në këtë produksion interpretojnë aktorët Amri Hasanlliu, Armela Demaj, Elona Hyseni, Edvin Mustafa, Ketjona Pecnikaj, Klesta Shero, Klea Konomi, Klodjana Keco, Roerd Toçe, Sedmir Memia, Mario Bali, Mihal Kaçi, Rexhina Mollaymeri, Xhino Musollari dhe Margent Caushi. Pjesë e këtij produksioni aktorja e njohur Klodjana Keco thotë se vepra “Emira” për atë ka qenë një surprizë. “Është vepra e parë dramatike e njohur në shqip. Krahas kësaj vlere shumë të madhe historike dhe gjuhësore pashë vlera të mëdha letrare dhe artistike. Kur aktori ndjen dhe veprën që materiali me të cilin punon ka vlera të tilla, atëherë puna ritakohet me pasionin e fillimit e më pas lodhja nuk ndihet”, tregon aktorja Klodjana Keco.
Jeta e arbëreshëve
E njohur me rolet dhe punën e saj në fushën e teatrit, për aktoren Klodjana Keco puna në grup, puna individuale, krahas punës studimore, për ta kuptuar gjuhën që në etimologjinë e fjalëve me gjenezat dhe huazimet edhe me ndihmën e prof. Merita Brucit ishte një formë e re provash. “Fjala gjuhë në greqisht quhet “logos” nga ku vjen edhe fjala “logjikë” që përdorim ne sot. Dhe vetëm kaq besoj se mjafton për të kuptuar “zhytjen” tonë si aktorë në fjalën, logjikën, mendësinë, traditat dhe ndjesitë e një copëze Shqipërie historike në Arbëri”, thotë më tej aktorja Keco, në një reagim të saj. Në datë 5 dhjetor në orën 19:00 u prezantua seria e parë e kësaj vepre, që u shfaq online. Seritë e kësaj vepre, të cilat janë ndarë në 5 episode transmetohen në të gjitha platformat online të teatrit Metropol, si Youtube, Facebook ashtu edhe në Instagram, për çdo javë, gjatë gjithë muajit dhjetor. Tragjikomedia “Emira” paraqet mes koloritesh mjaft të gjalla jetën e arbëreshëve me një të folme arbëreshe të krahinës Kalabrisë, me personazhe mjaft interesantë që paraqesin jetën e banorëve të fshatit Picilia, në një kohë historike kur cubëria trazonte banorët dhe shteti i sapokrijuar i Italisë, për të mbajtur rendin dhe rregullin, dërgon komandant Fumellin. Vepra flet për dy vajza të reja, Emira dhe Kallina, dashurojnë të njëjtin djalë, Mirianin, mirëpo atij i pëlqen Emira dhe jo Kallina, mirëpo këtë e ka lakmie dhe Kallo njeri cub e hajdut, që i vjen rrotull edhe Kallinës. Krahina është e trazuar nga hajdutët dhe përplasjet me rendin shtetëror, që po përpiqej të vendosej. E cilësuar nga autori si tragjikomedi, ajo ka fund të gëzuar me dasmën e Emirës dhe bashkimin e Kallinës me Albencin. Botimin e pesë akteve të dramës “Emira” e gjejmë në vitin 1984 nga Prof.Francesco Solano në Kalabri. Ky botim mbushi një boshllëk të madh në trashëgiminë e gjinisë së dramës shqipe, sepse solli në dritë variantin e plotë të veprës. Plotësoi e tejkaloi versionin e botuar nga De Rada dhe mbetet ende sot, i vetmi mbi të cilin mbështeten studiuesit, nxënësit, e studentët. Ky botim është gjithashtu i përshtatshëm për një lexues në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni.










































