Klop u shpall si trajneri më i mirë i vitit, ndërsa Nojer portieri më i mirë. FIFA ka publikuar edhe formacionin më të mirë të 2020
FIFA ka shpallur Robert Levandovskin si futbollistin më të mirë të vitit. Përballë tij garonin Mesi dhe Ronaldo, të cilët këtë herë nuk arritën të shkëlqenin. Presidenti i FIFA nisi ceremoninë duke nderuar legjendat e futbollit, Diego Armando Maradona dhe Paolo Rossi, të cilët nuk janë më në mesin tonë. Për shkak të pandemisë COVID-19, këtë vit ndarja e çmimeve ka ndodhur online. Por tre konkurrentët, Mesi, Ronaldo e Levandovski ishin LIVE. Në atë moment presidenti i FIFA, Gianni Infantino është futur në dhomën ku po qëndronte Levandovski për t’ia dhuruar çmimin si lojtari më i miri i vitit. Polaku ka fituar tre tituj me Bayern, duke triumfuar në Ligën e Kampionëve, Kupën e Gjermanisë dhe Bundesligë. Po ashtu Levandovski shihet si favorit dhe për Topin e Artë. Po në ceremoninë e djeshme u shpall portieri i vitit dhe trofeu shkoi te Manuel Nojer. Përballë tij ishin Jan Oblak dhe Alisson Becker. Pas marrjes së çmimit, gardiani gjerman deklaroi se ky është një ndër vitet më të mira të karrierës. “Kemi arritur të fitonim gjithçka, ishim të sigurt në vetvetete dhe ishte fantastike. Në këtë vit sidomos gjatë verës, kur kemi luajtur në Lisbonë ishte fantastike. Sigurisht nuk ishte aspak e lehtë për ne pasi nuk kishim tifozët që të na mbështesnin. Kemi pasur mentalitetin fitues dhe kemi gjetur kombinimet e duhura duke dhënë më të mirën tonë ndeshje pas ndeshje. Si portier është e thjeshtë të komunikosh në fushën e blertë. Një shembull, unë si portier e kam të lehtë të komunikoj edhe me Levandovskin që ndodhet në sulm, në kuptimin e lirshmërisë”, përfundoi Manuel Nojer.
Klop trajneri më i mirë
Ashtu si çdo vit edhe dje u shpallën trajnerët më të mirë në futbollin e meshkujve dhe në atë të femrave. Sarina Uiegman u shpall si trajnerja më e mirë në futbollin e femrave, ajo drejton Holandën. Ndërsa sa i takon meshkujve në garë ishin: Marcelo Bielsa, Hans-Dieter Flick dhe Jurgen Klop. Këtë vit ishte Arsen Venger që ndau çmimin për trajnerin më të mirë dhe ai ja dorëzoi trofeun Klop-it. Tekniku këtë vit fitoi Premier Ligën, ndërsa Hans-Dieter Flick që fitoi tripletën me Bayernin mbeti i dyti. Ndërkohë sulmuesi i Totenhemit, Hong-Min Son ka fituar trofeun “Pushkash”, goli më i bukur i vitit. Sulmuesi koreanojugor komentoi golin që i solli trofeun. Ai u bë protagonist në dhjetorin e 2019 pas një aksioni duke ecur me topin prej 78 metrash. “Kur kam marrë topin, nuk kam patur shumë opsione,për këtë arsye kam filluar të dribloj dhe u gjenda përpara portës duke e finalizuar në gol. Jam i surprizuar nga goli im i bukur dhe nuk e kisha kuptuar sa i rëndësishëm ishte”, përfundoi Son.
Formacioni i vitit
Po dje, FIFA ka zgjedhur formacionin më të mirë të vitit 2020. Ajo që bie në sy është dominimi total i Liverpool dhe Bayern Munich. Anglezët kanë katër futbollistë ndërsa gjermanët tre. Sipas tabelës, braziliani Alisson Becker është në portë, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Trent Alexander Arnold, Virgil Van Dijk, Sergio Ramos dhe Alphonso Davies. Mesfusha përbëhet nga Joshua Kimmich, Thiago Alcantara dhe Kevin de Bruyne. Ndërsa sulmi është fantastik me Messi, Ronaldo dhe Levandovski.