Qeveria gjermane ka rikonfirmuar pozicionin e saj se vaksinat kundër koronavirusit duhet të mbesin vullnetare. Në Bundestag, megjithatë, kancelarja Merkel u bëri thirrje qytetarëve të përfitojnë nga opsioni i vaksinimit. Objektivi është imuniteti i tufës. Po të mos vaksinohen më shumë se 40, 50 ose 60 për qind e njerëzve, do t’u duhet të gjithëve të mbajnë maskë për një kohë të gjatë, tha kancelarja. Merkeli nuk i përjashtoi ndryshimet në strategjinë e vaksinimit kundër Covid-19. Procedura varet gjithashtu edhe nga ajo që do të konstatojnë autoritetet e licencimit të vaksinës në lidhje me përshtatshmërinë e vaksinave për secilin grup të popullatës. Për shembull, ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme për fëmijët, tha kancelarja gjermane, raporton “Deutsche Welle”. Një studim i Universitetit të Leipzigut kohët e fundit evidentoi se vetëm një në dy qytetarë dëshirojnë të vaksinohen. Në prill, gatishmëria për vaksinimin ishte 79 përqind. Përballë gatishmërisë në rënie për të vaksinuar popullatën, shoqata e mjekëve Marburger Bund foli në favor të organizimit të një fushate të gjerë mediatike.
Borxhi jo me taksë për pronën
Për të financuar borxhin shtesë të shkaktuar nga pandemia e Coronas, Kancelarja Merkel e përjashtoi futjen e një takse për pronën. Gjithashtu nuk do të ketë shkurtime në shpenzimet sociale, tha Merkeli në një orë pyetjeje për qeverinë në Bundestag. Detyrë kryesore është krijimi i rritjes ekonomike, në mënyrë që të gjenerohen të ardhura, tha ajo. Në të njëjtën kohë, kancelarja mbrojti vendimin e qeverisë që farmacitë të shpërndajnë maska FPP-2 për njerëzit mbi 60 vjeç. Merkeli theksoi se kjo formë e shpërndarjes ishte aktualisht e realizueshme. Në një hap të dytë, maskat mbrojtëse do të shpërndahen ndryshe. Ajo e dha këtë shpjegim pas kritikave të djeshme për radhët e gjata, që u formuan dje para farmacive. Temë qendrore e pyetjes së qeverisë nga parlamenti ishin gjithashtu bisedimet midis ministrive, në lidhje me zbatimin e ligjit të planifikuar të zinxhirit të furnizimit. Merkel foli në favor të projektit, por në një formë të zbutur. Ajo ishte skeptike në lidhje me mbajtjen e përgjegjësisë sipas së drejtës civile, në bazë të së cilës kompanitë gjermane mund të mbanin përgjegjësi sipas ligjeve gjermane. Ajo tha se kjo nuk përmendet në marrëveshjen e koalicionit midis partive unioniste dhe SPD. Ligji i zinxhirit të furnizimit duhet të garantojë që të mos ketë fëmijë ose punë të detyruar për prodhimin e produkteve nga sipërmarrjet gjermane, që të paguhen pagat minimale dhe të respektohet orari i punës. Me kërkesë të partive unioniste dhe SPD, Bundestagu do të diskutojë gjithashtu zbatimin e strategjisë kombëtare të vaksinimit.
Macron pozitiv
Nga ana tjetër edhe Franca është vënë në alarm. Pallati Elysee njoftoi të enjten se presidenti francez Emmanuel Macron është prekur nga COVID-19. Një zyrtar e përshkroi presidentin Macron si të lodhur dhe me kollë dhe tha se nuk përjashtohej mundësia që ai të zhvendosej në një rezidencë presidenciale për të pushuar. Zoti Macron, thuhet në njoftimin e zyrës së president, do të izolohet për shtatë ditë. “Ai do të vazhdojë të punojë dhe të kujdeset për veprimtaritë e tij në distancë”. Bashkëshortja e tij Brigitte rezultoi negative pas testit për COVID-19, por u njoftua se do të vetizolohej. Dyshohet se zoti Macron mund të jetë infektuar gjatë samitit të BE-së javën e kaluar. Kjo ka nxitur udhëheqësit evropianë të testohen. Gjatë samitit të Bashkimit Evropian në fund të javës së kaluar, zoti Macron zhvilloi mes tjerash një takim dypalësh me kancelaren gjermane Angela Merkel, ndërsa të mërkurën u takua me kryeministrin e Portugalisë.