Google search engine
Home Aktualitet TOB: Viti i Prenk Jakovës u celebrua me dy shfaqje të rëndësishme

TOB: Viti i Prenk Jakovës u celebrua me dy shfaqje të rëndësishme

0
380

Teatri i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shpalli vitin 2017 si viti i Prenk Jakovës, pasi përkoi me 100 -vjetorin e lindjes së tij. TOB shkruan se ky përvjetor jubile u celebrua me dy shfaqje të rëndësishme. “Me vënien në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër të operës “Skënderbeu” në ditën e lindjes së kompozitorit dhe koncertin vokal-simfonik në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në muajin dhjetor, ku u përfshinë pjesët më përfaqësuese të krijimtarisë së mjeshtrit”, shkruan institucioni. Prenk Jakova u lind më 26 dhjetor të vitit 1917 në familjen e patriotit të njohur shkodran, Kolë Dedë Jakova, i cili ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut, në vitin 1920. Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës, por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë. Prenk Jakova ka qenë njëri ndër kompozitorët më të shquar dhe më të njohur të kohës së socializmit në Shqipëri. Ai ishte edhe themelues i gjinisë së operës kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Mrika” . Kjo e fundit ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Opera e dytë e Prenk Jakovës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika”, e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit. Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë. Këngët e tij “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo” janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit, që gëzojnë shumë kush i identifikon si këngë popullore shkodrane. Prenk Jakova u lind më 27 qershor 1917 dhe u nda nga jeta më 16 shtator 1969.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here